Sipërmarrja bioteknologjike, BioNTech pret që vaksina të veprojë edhe kundër mutacionit të ri të zbuluar të virusit korona.

Nga pikëpamja shkencore, gjasat për këtë janë shumë të larta, tha kreu i BioNTech-ut, Ugur Sahin para shtypit. Vaksina është testuar kundër 20 varianteve të tjera të virusit e gjithmonë përgjigja imunitare që ka dhënë trupi i ka ç’aktivizuar të gjitha format e virusit. Nëse kjo vlen edhe për variantin e ri, mbetet të provohet në javët e ardhshme.

“Vaksina me gjasë vepron edhe kundër mutacionit.”

Varianti i ri SARS-CoV-2 po përhapet me shpejtësi në jugun e Anglisë. Kryeministri, Boris Johnson e cilësoi në fundjavë atë si “70% më infektues” se varianti fillestar. Si pasojë mjaft shtete kufizuan lëvizjen me Britaninë e Madhe. Gjermania vendosi një ndalim të përgjithshëm për udhëtarë nga Britania e Madhe dhe Irlanda veriore, por edhe nga Afrika e Jugut, ku po ashtu është zbuluar një variant i panjohur i koronavirusit.

Presidenti i Shoqatës së Mjekëve Gjermanë, Klaus Reinhardt ka paralajmëruar nga paniku. Mutacionet nuk janë të pazakonta te viruset, tha ai për gazetën gjermane “Passauer Neue Presse”. “Duhet të veprojmë me qetësi dhe mbi bazë faktesh”. Ende nuk është e qartë pas vlerësimit të virologëve, nëse infektimi me virusin e ri është vërtet më i lartë. Për këtë ende nuk ka “një rezultat të qartë të fakteve shkencore”, sipas Reinhardt.

Ndërkohë Instituti Robert Koch iu drejtua me një lutje popullsisë në kuadër të krishtlindjeve. “Mos udhëtoni” tha kreu i RKI-së, Lothar Wieler. Të gjithë mundësisht t’i kalojnë Krishtlindjet në rrethin e ngushtë familjar.

“Reduktojini kontaktet në maksimum”, theksoi Wieler, sepse do të zgjasë ende, derisa kufizimet aktuale të tregojnë një përmirësim të situatës. Kemi “disa javë të vështira përpara”.

RKI konstatoi të martën 19.528 raste të reja të koronës në Gjermani, numri i vdekjeve u rrit me 731 vetë në gjithsej 27.000 viktima.

 

 

Top Channel