Vetëvendosje: Nuk kemi informacion zyrtar se Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta dërgojë vendin në zgjedhje

21/12/2020 21:51

Këshilltari ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje, Blerim Sallahu thotë se nuk kanë ndonjë informacion zyrtar nëse Gjykata Kushtetuese ka marrë ndonjë vendim për rastin e vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë informacion zyrtarë për këtë çështje. E kemi parë që disa media kanë dalë me burime kinse Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim me të cilin e ka dërgua vendin në zgjedhje. Edhe pretendimet tona në seancën e dëgjimit publik kanë qenë të njëjta. Pra presim që Kushtetuesja të vendos në favor të kërkesës sonë sa i përket votës së deputetit Arifi”, tha ai në “Debat Plus”.

“Duhet të shkojmë në zgjedhje. Nuk presim që procesi të kthehet në zero”, shtoi Sallahi, përcjell Telegrafi

Sallahi thotë se Albin Kurti ka dështuar dy herë të marrë mandatin dhe sipas tij nuk ka më vend për prova të tjera.

Sipas tij edhe Hoti më nuk ka të drejt të provoj një tentativë tjetër për qeverinë.

“Presim nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit që të shpallë datën e zgjedhjeve”, tha ndër të tjera Sallahu.

Gjykata Kushtetuese më 2 dhjetor mbajti seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshme të votimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit, më 20 gusht 2019, ku ishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim. Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pjesëmarrjen në votim të deputetit Arifi si dhe ligjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti e kontestoi Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka dërguar këtë rast në Kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA