Presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump, ndryshe nga Sekretari i tij i Shtetit Mike Pompeo, nuk e sheh domosdoshmërisht Rusinë prapa sulmit kibernetik në shkallë të gjerë ndaj institucioneve të qeverisë amerikane.
Rusia dyshohet gjithmonë nëse diçka ndodh, shkroi Trump në Twitter. Mund të jetë edhe Kina, por ky opsion nuk po diskutohet “për arsye kryesisht financiare”, u shpreh ai. Pompeo më parë ka fajësuar Rusinë për sulmin masiv kibernetik. Tani mund të thuhet “mjaft qartë” se rusët ishin prapa sulmit, u shpreh sekretari i shtetit, ndërsa Moska menjëherë hodhi poshtë akuzat.
Kremlini tha se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin e hakerëve. Agjencia amerikane për sigurinë kibernetike dhe të infrastrukturës (Cisa) e ka klasifikuar sulmin e hakerëve si një “rrezik serioz” për qeverinë federale në Uashington, për shtetet dhe bashkitë si dhe për të gjithë sektorin privat. Në një paralajmërim te saj thuhej se zmbrapsja e sulmuesit nga sistemet e prekura do të ishte “shumë komplekse”.
Sulmi kibernetik po vazhdon të paktën prej marsit. Hakerët kanë treguar “durim, siguri operacionale dhe mjeshtëri komplekse”. Trump gjithashtu doli me pretendimin se sulmi u paraqit në “media në përmasa shumë më të mëdha nga sa është në të vërtetë.”Më janë dhënë informacione të plota dhe gjithçka është nën kontroll të plotë,” ka shkruar ai.
Top Channel