Bankat kërkojnë lehtësi “Një moratorium i dytë do ta vendosë sistemin bankar në vështirësi”

21/12/2020 19:41

Shoqata e Bankave i ka kërkuar bankës qendrore të që shtyjë edhe gjatë vitit 2021 masat lehtësuese që iu japin mundësi bankave të ristrukturojnë kreditë.

Edhe pse ky propozim nuk përfshin një shtyrje tjetër të kësteve të huave, eksperti për ekonominë Arbi Agalliu shpjegon se sistemi bankar nuk mund të mbajë të gjithë peshën e goditjes që ka shkaktuar kriza. Një tjetër moratorium shton ai do ta vinte atë në vështirësi të mëdha.

“Nuk mundet që të shtyhet pafundësisht. Ka limite çdo gjë dhe ne jemi afër limitit.  Sistemi bankar patjetër që pati vonesa në marrjen e kësteve dhe pikërisht tani është momenti kur ndihet efekti më tepër se në fillim. Kjo do të dojë rreth 3-4 vite për të zbutur këto efekte”, tha Arbi Agalliu, ekspert për ekonominë.

Teksa pandemia vijon të ushtrojë presion në të gjithë zinxhirët e ekonomisë, Agalliu apelon për masa mbështetëse për bizneset dhe individët e prekur më rëndë nga kriza.

“Ajo që ka në dorë qeveria në këto momente dhe është shumë e thjeshtë për t’u implementuar është ulja e barrës fiskale. Nëse ne i lëmë firmave, biznesit para në dorë nuk kanë nevojë të shtyjnë këstet e kredive. Një mënyrë e dytë mund të jenë paketa të caktuara apo sasi parash veçanërisht për të vetëpunësuarit apo bizneset e vogla”, tha Agalliu.

Për të lehtësuar barrën e bizneseve dhe individëve në vështirësi financiare, Banka e Shqipërisë bëri një shtyrje 6-mujore të mbi 25 mijë kredi bankare me një vlerë rreth 2 miliardë euro.

Ky moratorium mbajti në nivele të qëndrueshme kreditë me probleme që arritën në 8.2% në fund të tetorit, ndërsa pritet që të rriten ndjeshëm gjatë 2021 si pasojë e efekteve të këtyre masave.

Top Channel