Rivlerësimi i pronave, edhe 1 vit / 52 mijë qytetarë aplikuan gjatë vitit të vështirë të pandemisë. Ekspertët: Shtyrja, pozitive

20/12/2020 20:07

Pandemia Covid-19 ka detyruar qeverinë që të shtyjë për të dytën herë radhazi rivlerësimin e pronave.

Që prej nisjes së këtij procesi më 17 janar 2020 e deri më 20 nëntor janë rreth 52 mijë qytetarë që kanë aplikuar për te bërë rivlerësimin e pronës së tyre, teksa kanë kryer pagesat më pak se gjysma e tyre.

Për ekspertët e pasurive të paluajtshme, kjo shtyrje e dytë ishte e domosdoshme duke marrë parasysh situatën e vështirë që ka krijuar pandemia.

“Kjo shtyrje është padyshim pozitive për qytetarët dhe vetë tregun imobilar, pasi kryhen transaksione por edhe tatimi është më i favorshëm. Edhe pse sërish duke qenë një lloj amnistie, 3% mund të them se është e lartë nga ajo që është bërë në vitet e kaluara”, tha Lefter Sila.

Por, kush janë kategoritë që kanë shfaqur më shumë interes për të përafruar vlerën e pronës së tyre me atë të tregut?

“Individët kryesisht kanë qenë ata që kanë aplikuar për të bërë rivlerësimin e banesave, apartamenteve të tyre. Më pak interes ka pasur nga bizneset të cilat si duket nuk dëshirojnë të ndryshojnë bilancet e tyre dhe i qëndrojnë tatimit 5%”, tha ai.

Me shtyrjen e radhës, qytetarët kanë mundësi të bëjnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme deri më 30 shtator 2021, një proces i cili pritet të sjellë rreth 4 miliardë lekës në arkën e shtetit.

Drafti është depozituar në Kuvend dhe pritet të miratohet nga deputetët në Parlament.

Top Channel