Pamjet e dy frigoriferëve të parë që kanë mbërritur në Selanik dhe që do të mbajnë dozat e para të vaksinave kundër koronavirusit kanë ngjallur optimizëm në Greqi, ndërsa numri i viktimave prej fillimit të pandemisë ka shkuar në mbi 4000, 96 prej të cilëve vetëm 24 orët e fundit.
Frigoriferët e veçantë që ndodhen në depot farmaceutike të qytetit dhe ku do të ketë masa të rrepta sigurie, janë në gjendje të mbajnë në temperaturën -70 gradë sapo të mbërrijnë 15000 shishe secili, me përbërjen e vaksinës, ndërkohë që me një shishe bëhen 5 vaksinime, ndërsa priten edhe frigoriferë të tjerë në ditët në vijim që do të shpërndahen pranë qendrave të vaksinimit.
Kryeministri Mitsotakis duke folur për strategjinë e imunizimit të vendit ka dhënë disa detaje të operacionit të mbërritjes dhe shpërndarjes së vaksinave në Greqi, me emrin simbolik “Liria”.
“Besojmë se grupi i parë i vaksinave do të jetë në vendin tonë në 26 Dhjetor dhe nga 27 Dhjetori do të jemi në gjendje të kryejmë vaksinat e para në pesë spitale në Athinë dhe menjëherë më pas në Selanik. Do të ketë një përparësi të rreptë se kush nga bashkëqytetarët tanë duhet të vaksinohet i pari”- tha Mitsotakis.
Sipas një plani të autoriteteve shëndetsore të parët që do të vaksinohen janë një infermiere dhe një i moshuar, e më pas procesi do të vazhdojë me gjithë punonjësit e sistemit shëndetsor dhe qytetarët e grupmoshës mbi 65 vjeç me synimin që deri në fund të qershorit të jetë vaksinuar 70% e popullsisë.
Vetë kryeminsitri grek me bashkëshorten e tij duke dhënë një mesazh ndaj skepticistëve dhe kundërshtuesve të procesit do të vaksinohen para kamerave të televizoneve greke në datën 28 dhjetor në një spital në Athinë.
Ndonëse numri i rasteve ditore të të prekurve është ulur, Greqia numëron mbi 525 të intubuar, ndërsa autoritetet kanë vendosur lockdown më të rreptë për 3 zona të periferisë perëndimore të Athinës si dhe për qytetin e Kozanit pasi barra epidemiologjike është tepër shqetësuese në këto zona.
Në ndihmë të autoriteteve shëndetsore në javët ardhshme do të jenë edhe forcat e armatosura të cilat me personelin e tyre mjekësor do të kryejnë teste në 130 pika të vendit.
Top Channel