Vuhan shokon me rihapjen e klubeve të natës/ Në ish-epiqendrën e Covid-19 asnjë nuk mban maskë (Fotot)

17/12/2020 20:36

Qyteti kinez ku nisi pandemia e frikshme e koronavirusit Vuhan, mburret së fundmi me pamjet e rinisjes së jetës së natës, teksa tregon të rinjtë që mbushin diskotekat dhe asnjë prej tyre nuk mban maska mbrojtëse.

Vuhan, në provincën e Hubei, thotë se nuk ka pasur asnjë rast të transmetuar të Covid-19 që prej 10 majit.

Qyteti u izolua tërësisht prej janarit pasi nisja e pandemisë u deklarua e lidhur me një nga tregjet e tij.

Për 11 javë banorët u mbyllën në shtëpitë e tyre dhe nuk lejoheshin të dilnin nga qyteti, teksa hyrje daljet ishin bllokuar me postblloqe ushtarake.

Por me pamjet e publikuara së fundmi, dikush mund të mendojë se Vuhan nuk është prekur kurrë nga sëmundje të rënda. Jeta e natës është kthyer në vrull të plotë, me të rinj që kërcejnë në turma të mëdha, duke shëtitur e duke ngrënë ushqim nga stendat e rrugës.

Asnjë njeri me maskë nuk dukej mes njerëzve që zbaviteshin, disa prej të cilëve luanin me armë lodra dhe tullumbace.

“Pasi provuam valën e parë të epidemisë në Vuhan ka ardhur çlirimi, më duket sikur po jetoj një jetë të dytë,” tha i riu Zhang Qiong.

Edhe në gusht publiku ndërkombëtar u shokua nga pamje të një feste në pishinë në një kompleks të Vuhan, ku dukej se të rinjtë e kishin harruar tërësisht izolimin e koronavirusit, teksa festonin me muzike.

Publikimi i fotove vjen disa javë para se 10 shkencëtarë të OBSH të udhëtojnë drejt Vuhan në janar, për të hetuar atë që ndodhi në fund të 2019 në lidhje me pandeminë.

FOTO GALERI
5/6
Publikimi i fotove vjen disa javë para se 10 shkencëtarë të OBSH të udhëtojnë drejt Vuhan në janar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA