Një vrasje ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në fshatin Goraj të Kuçovës.
41-vjeçari, Ajet Guneli është ekzekutuar për vdekje me një kallashnikov nga Vangjel Polovina, 44 vjeç, banues në Kuçovë. Policia ka mundur të arrestojë autorin e krimit të ndodhur në oborrin e një lokali në liqenin e fshatit Goraj. Sipas policisë, Vangjel Polovina i kishte marrë me qira një stallë derrash, viktimës 41-vjeçarit, Ajet Guneli dhe kishte mosmarrëveshje të vazhdueshme me të, pasi pretendonte se ai e shante dhe ofendonte. Një pistë hetimi është edhe ajo e një borxhi.
Viktima u ekzekutua në oborrin e lokalit të fshatit ku po pinte kafen e mëngjesit kur është shfaqur Vangjel Polovina me armë në dorë dhe ka nisur të qëllojë ndaj 41-vjeçarit. Pasi ka zbrazur një karikator ai ka shkuar te makina e tij dhe ka mare një karikator tjetër duke iu afruar sërish viktimës duke e qëlluar.
Në momentin e ngjarjes në lokal ndodheshin rreth 8 persona, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.
Top Channel