Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i ofrojë Bullgarisë garanci me shkrim se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj saj, se nuk përzihet në punët e brendshme të Sofjes dhe se është e vendosur të zbatojë deri në fund Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, të arritur mes dy vendeve në vitin 2017, tha kryeministri Zoran Zaev.

“Ne jemi të gatshëm – nëse Bullgaria dëshiron që të japim garanci në letër, memorandum, deklaratë, protokoll, çfarëdo që mund të konfirmohet nga qeveria dhe të miratohet në një konferencë ndërqeveritare – në mënyrë të tregojmë se nuk kemi pretendime territoriale ndaj Bullgarisë ose ndonjë vendi tjetër”, tha Zaev duke treguar se në Shkup, e duan vazhdimin e bisedimeve me Sofjen për kapërcimin e mosmarrëveshjeve.

Bullgaria, në muajin nëntor, pengoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke thënë se dallimet për gjuhën dhe identitetin nuk janë kaluar.

Ky zhvillim u kthye në pengesë edhe për Shqipërinë, pasi në Bruksel e Berlin pati zëra se miratimi i kornizës negociuese me të, edhe pse bëhet fjalë për një akt me natyrë teknike, do të dërgonte një sinjal jo të mirë ndaj Shkupit, pavarësisht se në rastin e Shqipërisë ka ende vende skeptike që përmendin mospërmbushjen e parakushteve të vëna nga BE-ja, për çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Top Channel