Të ardhurat, 310 milionë euro më pak/ Deficiti buxhetor arriti në 590 milionë euro gjatë 11 muajve

15/12/2020 15:08

Situata e paprecedentë e krijuar nga pandemia ka vënë në vështirësi të mëdha arkën e shtetit.

Kjo pasi të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se për 11-mujorin në buxhet kanë hyrë vetëm 382.9 miliardë lekë. Në total përllogariten rreth 38.2 miliardë lekë apo rreth 310 milionë euro më pak të ardhura të grumbulluara se kundrejt të njëjtës periudhë të 2019-ës.

Rënia më e fortë është konstatuar në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale me rreth 12.4 miliardë lekë më pak se një vit më parë, ndjekur nga tatimi mbi fitimin me një tkurrje prej 7.9 miliardë lekë për shkak të shtyrjes së kësaj takse si masë mbështetëse për kapërcimin e krizës.

Një tkurrje jo të vogël ka pësuar edhe TVSH-ja pasi për 11-mujorin e këtij viti janë grumbulluar 7.1 miliardë lekë më pak se krahasuar me 2019-ën, çka sinjalizon për një frenim të konsumit në vend.

Por, pandemia nuk ka kursyer as arkat e bashkive, pasi deri në fund të nëntorit kanë grumbulluar rreth 2 miliardë lekë më pak nga taksat e tarifat vendore.

Teksa buxheti përballet me mungesë të madhe të të ardhurave, shpenzimet nga ana tjetër kanë parë një rritje të fortë duke arritur në 455.6 miliardë lekë deri në fund të nëntorit, apo rreth 24 miliardë lekë më shumë se kundrejt një viti më parë, ndikuar së tepërmi nga shtimi i fondit të kontigjencës për përballimin e paketave mbështetëse.

Kjo disbalancë e madhe midis të ardhurave në rënie e shpenzimeve në rritje për të përballuar pasojat e pandemisë, ka bërë që defiçiti buxhetor të arrijë në rreth 73 miliardë lekë apo 590 milionë euro. Para që kanë detyruar qeverinë të marrë borxh për të mbuluar shpenzimet gjatë këtyre 11-muajve.

 

Top Channel