Rrëzimi i Çausheskut – kthesa politike në Rumani/ Fotot e ekzekutimit te diktatorit rumun

15/12/2020 11:36
Diktatori komunist rumun Caushesku u ekzekutua para krishtlindjeve ne vitin 1989.

Një kryengritje popullore në Rumani, më 15 dhjetor të vitit 1989 rezultoi në përmbysjen e regjimit komunist 42-vjeçar.

Revolucioni filloi në qytetin Timisoara dhe u përhap shpejt në të gjithë vendin. Ky ishte rrëzimi i fundit i regjimit komunist në një vend të Paktit të Varshavës, gjatë ngjarjeve të vitit 1989 dhe e vetmja kryengritje që përmbysi me forcë një qeveri komuniste dhe rezultoi në ekzekutimin me vdekje të udhëheqësit të saj, Nikolae Çaushesku.

Rumania është një ndër vendet e Europës lindore që ka vuajtur nga regjimi komunist. Diktatori Nikolae Çaushesku qeverisi vendin me dorë të hekurt për disa dekada, derisa u rrëzua nga pushteti në fund të viteve ’80. Por si u arrit në rrëzimin e një pushteti të pamëshirshëm dhe si e përjetoi Rumania ndërrimin e regjimit.
Nga fundi i viteve ‘80, lideri komunist i Rumanisë, Nikolae Çaushesku, në detyrë që prej vitit 1965, ndihej i sigurt në pushtet dhe kishte plane të mëdha për rindërtimin e Bukureshtit, pavarësisht se vendi kishte hyrë në borxhe të thella. Çaushesku planifikoi të shlyente borxhin sa më shpejt të ishte e mundur duke nxitur eksportet dhe ndaluar importet, por rumunët e zakonshëm ishin ata që paguan çmimin, duke vuajtur mungesën e ushqimit, ndërprerjen e energjisë dhe ngrohjen minimale.

Raportimet e masakrave në qytetin perëndimor Timisoara, pas një kryengritjeje që nisi më 17 dhjetor 1989 shkaktuan indinjatë kombëtare, të nxitura edhe nga demonstratat e nisura në vendet fqinje si Bullgari, Hungari dhe Çekosllovaki.
Çaushesku fajësoi ato që i quante “grupe fashiste reaksionare” për organizimin e protestave anti-qeveritare në Rumani dhe pranoi për herë të parë se ushtrisë iu desh të ndërhynte për të rivendosur rendin, edhe pse nuk foli për viktimat, pavarësisht raportimeve që sugjeronin për qindra ose mijëra njerëz që qëlloheshin nga trupat e tij.
Më 21 dhjetor 1989, në Bukuresht, manifestuesit do të ndërprisnin një miting qeveritar të drejtuar nga Çaushesku. Radio-televizioni i Bukureshtit ndërpreu transmetimin e fjalimit të liderit, në të cilin ai tha se protestat ishin organizuar nga njerëz që donin t’i jepnin fund socializmit dhe ta vendosnin Rumaninë nën dominim të huaj. Ai shtoi se integriteti i Rumanisë duhej ruajtur me të gjitha mënyrat.

Ne Timishoara nisi revolta anti komuniste e cila u kthye ne perplasje te armatosur mes kryengritesve dhe ushtrise rumune.

Beteja të shumta morën jetë në kryeqytet dhe qytete të tjera të Rumanisë, teksa forcat e sigurisë që kishin mbajtur Çausheskun në pushtet luftuan me ushtrinë për kontrollin e vendit. Në një ditë kur emocionet e qytetarëve ndryshuan rrënjësisht nga ngazëllimi në terror, në Bukuresht, një qytet me 2 milionë banorë, turma të mëdha njerëzish u mblodhën në sheshin e jashtëm përballë pallatit të vjetër mbretëror për të festuar largimin poshtërues të diktatorit. Asokohe pati konfuzion dhe të dhëna kontradiktore mbi fatin e Çausheskut dhe bashkëshortes Elena. Disa burime thoshin se çifti ishte arrestuar, të tjera do të thoshin se ishte arratisur nga vendi.

Të arrestuar në qytetin Targoviste, në afërsi të Bukureshtit, Nikolae dhe Elena u gjykuan më 25 dhjetor të 1989-s nga një gjykatë ushtarake për gjenocid dhe abuzim me pushtetin. Gjyqi dy-orësh përfundoi me shpalljen fajtorë të të dyve për të gjitha akuzat dhe me dënimin e tyre me vdekje. Pak më vonë, ata u pushkatuan në oborrin e ndërtesës. Pamje të gjyqit dhe trupat e ekzekutuar të Çausheskut dhe bashkëshortes u transmetuan në televizion.
Rumania përjetoi një kthim të moderuar tek qetësia. Qeveria e re që erdhi në pushtet filloi të frenonte problemet sociale dhe ekonomike, hoqi racionet për ushqimet, ndaloi eksportet e artikujve ushqimorë dhe i bëri thirrje publikut që të mos përdorte dhunë ndaj kundërshtarëve. Ndërkohë, u mbajtën varrimet e personave të vrarë gjatë protestave, pallati me objekte luksi i Çausheskut u hap për qytetarët, ndërsa në tunelet nëntokësore ushtarët përdorën qentë e stërvitur për të gjetur agjentët e sigurimit.
Vendi vijoi kthimin e ngadaltë drejt normalitetit, me disa skuadrilje tankesh që tërhiqeshin nga qendra e Bukureshtit dhe njerëzit që filluan punimet për rindërtimin e godinave të shkatërruara. Me revolucionin anti-Çaushesku tashmë të sigurt, njësitë speciale filluan tërheqjen në bazat ushtarake jashtë kryeqytetit. Qytetarët, të guximshëm, sfiduan temperaturat e ulëta dhe dëborën për të festuar dhe për t’i dhënë lamtumirën tankeve që largoheshin, të cilët mbanin flamurin rumun me shenjën e Partisë Komuniste të hequr nga qendra.

Partia në pushtet, Fronti i Shpëtimit Kombëtar, shpalli të paligjshme Partinë Komuniste në janar të vitit 1990, për ta kthyer vendimin vetëm një ditë më pas. Në Timisoara, protetstat anti-komuniste detyruan ushtrinë të merrte kontrollin e qytetit pasi administratorët e tij dhanë dorëheqjen. Banorët e qytetit vazhduan të nderonin personat e vrarë gjatë kryengritjeve duke ndezur qirinj dhe duke vendosur buqeta me lule në vendet e shenjta.
Rumunët përfituan nga dita e pushimit kombëtar për të vizituar Pallatin e Popullit, të ndërtuar nga regjimi i Çausheskut, duke parë nga afër dhomat e mëdha, shumica e të cilave të pambaruara, dhe duke u mrekulluar nga tavanët të zbukuruar me ar dhe abazhurët e mahnitshëm.

Ekzekutimi i diktatorit rumun dhe bashkeshortes se tij.

Vrasja e diktatorit Caushesku

Bukuresht, 21 dhjetor i vitit 1989. Nikolai Çaushesku mban fjalimin e tij të fundit. Diktatori fishkëllehet, i pafuqishëm ai provon të mbaj masën nën kontroll.
Çaushesku: “Alo! Alo”!
Ky ishte sinjali përfundimtar për rrëzimin e diktaturës në ditën e ardhshme. Por është edhe fillimi i ngjarjeve të cilat edhe pas kaq shumë vitesh nuk janë sqaruar plotësisht.
Pas 22 dhjetorit 1989. Diktatori është përmbysur praktikisht, por luftimet mes ushtrisë dhe të ashtuquajturëve terroristë vazhdojnë ende në rrugë. Të fundit mendohet të kenë qenë luftëtarë besnikë të Çauesheskut, anëtarë të shërbimit të fshehtë ‘Securitate’. Shumë shpejt vendin e mbërthen konfuzioni, ushtarët qëllojnë ndaj civilëve dhe vriten me njëri-tjetrin, si pasojë humbin jetën rreth një mijë njerëz. Siç duket luftimet janë inskenuar për të legjitimuar ardhjen në pushtet të presidentit të ardhshëm të vendit, Ion Iliescu – të paktën kështu besojnë shumë rumunë. Në masë të madhe kjo temë është interesante ende për opinionin publik rumun. Kjo për faktin se edhe pas 20 vitesh shumica e përgjegjësve për vrasjet nuk janë identifikuar dhe dërguar para drejtësisë.
“Dokrra! Akuzat e tillë janë pjesë e çoroditjeve të shumta të disputëve tanë politikë”,
shprehet burri, të cilin shumë e konsiderojnë si fajtorin kryesor për tragjedinë e dhjetorit 1989: Ion Iliesku, ish-nxënës i Çausheskut, pas vitit 1989 tri herë president në Rumaninë e re. A e ka inskenuar ai histerinë e terroriristëve? Vetë Iliesku e sheh veten si viktimë të atyre, që ai i quan terroristë.
“Konfuzioni i shkaktuar me qëllim kishte një karakter terrorist dhe ai duhej të parandalonte vendosjen e pushtetit të ri”.
Iliesku e quan të drejtë edhe procesin e fshehtë kundër Nikola dhe Elena Çauesheskut para një gjykate ad-hoc ushtarake. Më 25 dhjetor 1989, në një proces që nuk zgjati më pak se dy orë çifti Çaushesku u dënua me vdekje dhe ekzekutua. Procedura gjyqësore ishte një farsë juridike. Iliesku reagon sërish i indinjuar:
“Çdo orë që ne prisnim ekzekutimin vdisnin njerëz të tjerë. Ne kemi vepruar në bazë të ligjeve të Çausheskut dhe ato parashihnin dënimin me vdekje”.
Njëri prej atyre që sot ka të drejtën morale për të dënuar regjimin e Çausheskut është Radu Filipesku, i cili në vitet e 80-të ka qenë tre vjet në burg, për shkak se kishte shpërndarë fletë-volante kundër diktaturës së Çauesheskut. Megjithatë kohën e Çausheskut dhe kthesën poltike në Rumani 53 vjeçari Filipesku nuk e kujton i mbushur me urrejtje, por me gjakftohtësi.
“Ka qenë pak e pritshme që ne menjëherë të fitojmë një demokraci të ekuilibruar. Në spektrin politik nuk kishte partnerë dhe asnjë parti të fortë, partitë po vëzhgoheshin dhe në to kishte vazhdimësi të regjimit. Por pas 20 vitesh, Rumania ka arritur megjithë pengesat dhe dështimet qëllimet kryesore: anëtarësimin në Nato dhe Bashkimin Evropian. Ne nuk jemi në gjendje të lakmueshme ekonomike, por megjithatë ne mund të jemi të kënaqur me këto që i kemi në Rumani”.
Por të kënaqur nuk mund të jenë edhe të afërmit e viktimave të ditëve të dhjetorit 1989. Në mesin e tyre është edhe Anghel Cioran, tani në moshë 82 vjeçare, fizikan në pension. Djali i tij Gabrieli është vrarë në ditën e parë të krishtlindjeve të vitit 1989, nga ushtarët e një njësie ushtarake, para ndërtesës së radios shtetërore në Bukuresht. Rrethanat se si ka ndodhur vrasja janë ende të paqarta për Ciorianin dhe gruan e tij. Kur u vra, djali i tyre i vetëm ishte në moshë 31 vjeçare.
“…Ne nuk duam hakmarrje. Iliesku vetëm duhet të jetë në gjendje të thotë se ka bërë një gabim. Të rinjtë, të cilët kishin dalë në rrugë nuk e kishin menduar se do të qëllohen. Ata ishin të pafajshëm dhe kanë vdekur kot”.

FOTO GALERI
38/41
ROMANIAN REVOLUTION, 23/12 1989. TANK IN OPERA SQUARE, TIMISOARA,

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA