Festa e 155-vjetorit të Fishtës në Lezhë, 83 vepra në garë për çmimet letrare, vlerësohen autorët më të mirë

23/10/2026 15:37

Letërsia shqipe është bërë bashkë në Lezhë, në 155-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës.

Shkrimtarë, poetë dhe studiues u mblodhën në edicionin e pestë të çmimeve që mbajnë emrin e tij. Këtë vit, në konkurs morën pjesë 83 vepra nga autorë të trojeve shqiptare, në kategoritë e poezisë, prozës dhe përkthimit.

Risia e këtij edicioni ishte çmimi “Gjurmë Fishtjane”, që synon të promovojë krijimtarinë e lidhur me veprën dhe trashëgiminë e poetit.

Juria, e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, me anëtarë Suela Mino dhe Gani Mehmetaj, vlerësoi veprat më të mira.

Çmimi “Gjurmë Fishtjane” iu dha Zef Përgegës për librin “Epika Malësore”. Rudolf Marku u vlerësua për vëllimin më të mirë poetik, Flutura Açka për prozën më të mirë, ndërsa Agron Tufa për përkthimin e romanit “Gropa e themelit”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve është pjesë e një programi më të gjerë aktivitetesh kushtuar 155-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, duke rikthyer në vëmendje figurën dhe kontributin e tij në historinë e letërsisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Top Channel