114 vjet më parë, dy ditë përpara ngritjes së flamurit në Vlorë, patriotët dhe qytetarët e Tiranës ngritën flamurin kombëtar, duke shpallur pavarësinë e qytetit, i cili në shkurt të vitit 1920 u shpall kryeqyteti i Shqipërisë.
Në këtë përvjetor të 114-të u organizua një ceremoni përkujtimore nga prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari.
“Por liria nuk erdhi si dhuratë! Disa ditë përpara 26 nëntorit, ndërsa forcat pushtuese serbe po i afroheshin Tiranës, patriotët dhe populli i saj u mobilizuan për të mbrojtur me armë në dorë qytetin dhe për të bërë të mundur shpalljen e pavarësisë.
Prandaj, 26 Nëntori është jo vetëm dita e ngritjes së flamurit, por edhe dita e qëndresës, e guximit, e sakrificës dhe e dinjitetit të popullit të Tiranës.
Në atë ditë historike, Refik Toptani shpalli publikisht pavarësinë, Hamit Borshi ngriti flamurin kombëtar, ndërsa kleriku atdhetar Xhemal Pazari këndoi në gjuhën shqipe lutjen për pavarësinë e Shqipërisë”, deklaroi prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari.
Dy ditë më vonë, Tirana pati nderin të përfaqësohej në Kuvendin historik të Vlorës nga dy bij të shquar të saj, Abdi Toptani dhe Murat Toptani, të cilët, më 28 nëntor 1912, vendosën firmat e tyre në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke përjetësuar kontributin e Tiranës në themelimin e shtetit të pavarur shqiptar.”
Top Channel