Fotot/ Nuk respektoi “orën policore”, polici përgjak 19-vjeçarin në Mitrovicë me shufër metalike

13/12/2020 09:44

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Mitrovicë, ku një 19-vjeçar me iniciale Sh.B është përgjakur pasi i janë shkaktuar plagë e të çara në kokë nga një zyrtar policor tek Liqeni Akumulues.

E gjithë ngjarja ndodhi kur sot rreth orës 5:00 (mëngjes i hershëm), 4 djem nga Vushtrria ishin ndalur nga 2 zyrtarë policorë tek Liqeni Akumulues në Mitrovicë dhe ishin udhëzuar të shkojnë në shtëpi pasi akoma ishte “ora policore’’, shkruajnë mediat kosovare.

Katër të rinjtë që kishin kaluar natën pranë një zjarri tek ky liqen, meqë nuk kishin gjetur transport për kthim në shtëpi pas orës 19:00, thonë se kishin dëgjuar udhëzimet e policëve dhe ishin nisur të ktheheshin.

Por menjëherë pas kësaj, sipas tyre, njëri nga zyrtarët ka filluar të ushtrojë dhunë fizike mbi ta. Viktima që u përgjak thotë se iu bind policit, por pavarësisht kësaj ai e goditi.

“Ne e kemi fikur zjarrin dhe jemi nisur për shtëpi dhe me pas kemi kaluar rreth 20 metër, njëri prej tyre ka kërkuar që të vrapojmë. Menjëherë pas kësaj, ka filluar të na godasë. Fillimisht njërin prej shokëve të mi e ka goditur me shkelm në shpinë, tjetrin në këmbë, pastaj ka nxjerr shufrën metalike dhe më ka goditur në këmbën e majtë, pastaj dorën e majtë dhe derisa ishte duke më goditur, i kam thënë mos më godit, e pas kësaj, ka vazhduar me goditje disa herë në kokë, me shufër metalike, me ç’rast më ka shkaktuar plagë dhe ka filluar gjakderdhja”, ka thënë Sh.B për Reporterin.

Djali thotë se ndonëse i gjakosur, Policia e la ashtu në rrugë. Ai thotë se ka shkuar vetë në urgjencë dhe pastaj është shoqëruar në Stacion nga i njëjti polic që pretendohet se e kishte rrahur, ku është mbajtur deri në ora 12:00.

“I gjakosur, mezi kam arritur të shkoj në Emergjencë, ku më është ofruar ndihma e parë dhe personeli mjekësor e ka ftuar policinë”, ka shtuar ai.

Që i riu ka qenë në Urgjencën e Mitrovicës, e konfirmojnë dokumentet që ka siguruar gazeta. Aty evidentohen edhe plagët.

Gazeta ka pyetur Policinë e Kosovës, e cila e ka konfirmuar se ka pasur një rast në këtë lokacion dhe sipas Avni Zahitit, ai është cilësuar si “pengim i personit zyrtar”. Megjithatë, Zahiti e konfirmon se rastin e kanë marrë Inspektorati Policor, pasi 19-vjeçari është ankuar për dhunë.

“Rreth orës 4:00 të mëngjesit ka ndodhur një rast që është inicuar “pengim i personit zyrtar”. Bëhet fjalë për një 19-vjeçar që është shoqëruar në Polici. I dyshuari është liruar me urdhër të prokurorit. I dyshuari ka paraqitur ankesë dhe rastin e kanë marrë IPK-ja”, ka thënë Avni Zahiti për Reporterin.

Ndërkohë, viktima ka thënë se nga dhuna ka probleme. Ai ka deklaruar se para pak momentesh është drejtuar në Spitalin e Vushtrrisë, për shkak të dhimbjes së padurueshme të kokës dhe pamundësisë për të fjetur, si pasojë e goditjeve me shufër metalike.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel