E ndërprerë dje në minutën e 13’ për shkak të një incidenti me sfond racist nga ana e arbitrit të katërt, ndeshja mes Paris Saint Germain dhe Basaksehir vijoi pasditen e sotme me një grup tjetër arbitrash, të kryesuar nga holandezi Makkelie.

Francezët ia dolën të marrin një fitore të thellë 5-1, që i kualifikoi për në fazën e 1/8-ave si vendi i parë në grup, ndonëse me pikë të barabarta me gjermanët e Leipzig, që mbrëmjen e djeshme eliminuan anglezët e Manchester United.

Ylli Brazilian Neymar shënoi tre herë mbrëmjen e sotme, duke marrë në shtëpi edhe topin e ndeshjes dhe goleada u kompletua nga dopieta e Kylian Mbappe, ndërsa Topal shënoi golin e vetëm për turqit.

Ditën e djeshme arbitri i katërt, rumuni Coltescu përdori termin “i ziu” për zëvendës-trajnerin e Basaksehir, duke provokuar reagimin e sulmuesit Demba Ba dhe më pas të të dy skuadrave, që vendosën të braktisin ndeshjen.

UEFA doli me një komunikatë zyrtare mbrëmjen e djeshme, ku njoftoi se për vijimin e ndeshjes do të sjellë një trupë tjetër arbitrash dhe paralajmëroi masa të ashpra kundër sjelljeve raciste.

Top Channel