Gjermani: Komisioni paraqet draftin për radhën e vaksinimeve

08/12/2020 08:55

Pas licencimit të vaksinës fillimisht do të vaksinohen banorët e shtëpive të kujdesit, njerëzit mbi 80 vjeç dhe stafi më i rrezikuar në sektorin e shëndetësisë. Këtë e propozon komisioni i përhershëm i vaksinimit.

Për priorizimin e vaksinimit ndaj koronavisurit janë paraqitur propozimet. Komisioni i përhershëm i vaksinimit (Stiko) i Institutit Robert Koch (RKI) u dërgoi një draft landeve të federatës dhe shoqatave të ekspertëve të mjekësisë. Në bazë të këtij drafti komisioni rekomandon, që fillimisht të vaksinohen banorët në shtëpitë e kujdesit si dhe personeli i emergjencës, i mjekësisë së transplanteve si dhe i shtëpive të kujdesit për të moshuarit. Grupet që duhen vaksinuar me prioritet, sipas të dhënave të RKI, përfshijnë më shumë se 8,6 milionë njerëz.

Në grupin e dytë të prioritetit do të vaksinohen personat në moshën 75 deri në 80 vjeç si dhe ata që banojnë në qendrat e trajtimit të demencës. Në këtë grup përfshihet edhe personeli i shërbimit në këto qendra të shërbimit ambulant ose të përhershëm. Edhe ky grup konsiderohet si me rrezikshmëri të lartë infektimi. Numri i tyre llogaritet të jetë mbi 6,7 milionë. Grupi i tretë në listën e klasifikimit të prioritetit, sipas Stiko, janë mbi 5,5 milionë vetë të moshës 70 deri në 75 vjeç si dhe personat me sëmundje paraprake ose që janë në kontakt me gratë shtatzëna.

Ritmi i vaksinimeve në varësi të sasisë së vaksinave

Arsyeja për përcaktimin e prioriteteve është, që në fillim të vaksinimit parashikohet që nuk do të ketë sasi të mjaftueshme të lëndës vaksinuese për të gjithë të interesuarit. Kuadrin për këtë si dhe për procedurën që do të ndiqet e përcaktoi Bundestagu përmes një ligji të miratuar së fundi. Ky ligj shërbeu si bazë për rekomandimet e Stiko, lidhur me të cilat tashmë do të ketë sërish konsultime. Përfundimisht prioritetet e vaksinimit do të përcaktohen në një dekret të Ministrisë së Shendetësisë. Për shkak të nevojës për të vepruar në mënyrë të përshpejtuar, landeve dhe ekspertëve u është bërë thirrje që të japin vlerësimin e tyre mbi këto rekomandime deri ditën e enjte (10.12).

Komisioni parashikon, që vaksina do të jetë në dispozicionderi në fund të vitit ose në fillim të vitit 2021. Për një seri të plotë vaksinimesh janë të nevojshme dy ampula vaksine brenda një intervali kohor prej 21 ditësh.

Rekomandimet provizore

Deri tani sipas Ministrisë së Shëndetësisë kemi të bëjmë me një rekomandim provizor, sepse fillimisht duhet të bëhet licencimi i vaksinave nga Agjencia e Bashkimit Europian për Medikamentet (EMA). Stiko nuk ka mundur që t’i „vlerësojë plotësisht” të dhënat mbi efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës, pasi këto të dhëna ende nuk janë publikuar.

Sipas një pozicionimi të publikuar para një muaj nga Stiko, Këshilli gjerman i Etikës dhe Akademia Kombëtare e Shkencave Leopoldina duhet që krahas grupeve të personave të rrezikuar të vaksinohen me prioritet edhe personat e sektorit me detyrim paraqitjeje që kanë funksione kyç siç janë të punësuarit në autoritetet e sigurisë, në zyrat e shëndetësisë apo edhe mësueset e mësuesit./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA