Sa do kushtojë ndryshimi i kasës? Tatimet tregojnë shifrat, por biznesi në treg ka çmime më të larta

07/12/2020 19:43

Nis nga 1 janari 2021 një epokë e re për bizneset, procesi i fiskalizimit, i cili do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e faturimit. Faza e parë do të nisë për të gjitha bizneset që kanë marrëdhënie me shtetin që do të lëshojnë vetëm faturë elektronike. Por, a është gati administrate tatimore për zbatimin e këtij procesi?

Delina Ibrahimaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve: “Administrata tatimore është trajnuar dhe mund të them se jemi gati për të nisur fiskalizimin. Në fazën tranzitore mund të përdoret edhe portali Self Care nga bizneset derisa të blejnë softin pasi faza e parë përfshin një numër të ulësh biznesesh që mund të përballohet nga portali.”

Por, sa do t’ju kushtojë fiskalizimi bizneseve? Për Drejtoreshën e Tatimeve, kjo kosto nuk kapërcen 200 euro në vit, ndërsa kompanitë e certifikuara për këtë qëllim kanë të tjera shifra.

Delina Ibrahimaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve: “Nëpërmjet kësaj reforme ne do të hapim tregun. Kemi disa kosto të përafërta por nuk mund të themi një kosto fikse për të gjitha bizneset. Për kostot që janë aktualisht shkon nga 100-200 euro në vit.Kjo është një situatë që ne kemi sot, por në vijim ato mund të vijnë duke u ulur.”

Këto janë shifrat që ka menduar administrate e tatimeve, por ne pyetëm një prej përfaqësive në treg dhe shifrat janë më të larta.

“Nëse zgjidhet programi jonë është 140 euro programi softuerik, kompjuteri mund të arrijë në 500 euro me TVSH, pjesa e printimit është në varësi të zgjedhjes, nëse do ishte një printer për pak faqe arrin në 150 euro, ndërsa nëse nevojitet një printer me volum të madh mund të arrijë në 500 euro”, u shpreh Kristi, përfaqësues i një prej kompanive të certifikuara për këtë proces.

Sa i takon kasave fiskale, tatimet por edhe kompanitë që po merren me ndërtimin e softuerëve për zbatimin e fiskalizimit deklarojnë se do të bëhet përshtatja e tyre për të shërbyer si printera.

Sipas të dhënave të Tatimeve janë në total 7600 subjekte që do t’i nënshtrohen fiskalizimit në fazën e parë, një proces i cili pritet të reduktojë ndjeshëm informalitetin.

Top Channel