Pavarësisht dy goditjeve që ka marrë vendi nga tërmeti dhe pandemia Covid-19, Agjencia e prestigjioze e Vlerësimit Moody’s ka konfirmuar pozicionimin e qëndrueshëm të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.

Në rishikimin periodik për ekonominë shqiptare Moody’s mban të pandryshuar qëndrimin për institucionet dhe qeverisjen, duke nënvizuar angazhimin për integrimin në Bashkimin Europian, për të adresuar dobësitë në fushën e sundimit të ligjit dhe kontrollin e korrupsionit.

I pandryshuar në këtë vlerësim paraqitet edhe indikatori i forcës fiskale në “b1”sipas Moody’s, që reflekton risqet e shtuara që vijnë ngë niveli i lartë i borxhit publik, detyrimeve të prapambetura si dhe nga pagesat e kontratave koncesionare PPP.

Të njëjtën notë ka ruajtur edhe sektori bankar që paraqitet i ekspozuar ndaj situatës që ka shkaktuar pandemia, teksa problem mbetet edhe niveli i lartë i euroizimit.

Sipas vlerësimit të bërë në Tetor nga Moody’s, ekonomia shqiptare mund të tkurret me -7.1% këtë vit si pasojë e goditjes që ka marre ekonomia nga emergjenca shëndetësore e koronavirusit, teksa prêt që t’i rikthehet rimëkëmbjes në 2021 edhe pse me ritme të ngadalta me një rritje prej 5%.

Përmes një reagimi zyrtar, Ministria e Financave shpreh angazhimin për t’iu kthyer konsolidimit fiskal pas kapërcimit të situatës me pandeminë, me ulje të deficitit buxhetor dhe borxhit publik në vitin e ardhshëm, i projektuar sipas ekzekutivit që të zbresë në nivelin e 78.6% nga 80.9% që pritet të arrijë në fund të këtij viti

Genta Dobra

Top Channel