SHBA/ Pandemia e Covid-19 godet rëndë zonat rurale

04/12/2020 03:33

Pandemia e koronavirusit goditi kryesisht zonat urbane në fillim në Shtetet e Bashkuara, por përhapja e saj masive në vjeshtë, po prek rëndë zonat rurale të Amerikës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo njofton.

Shtetet e Bashkuara kanë tani mesatarisht mbi 170,000 raste të reja në ditë. Kjo po prek jo vetëm spitalet e mëdha në qytete, por edhe ato më të vogla – si Spitali i Qarkut Skotland në zonën rurale të Misurit. Kryeinfermierja Elizabeth Guffey thotë se po shohin një nivel pozitiviteti prej 30%.

“Do të thotë që një në tre pacientë të testuar, rezulton pozitiv. Ka pasur një rritje masive të shtrimeve në spital. Gjatë dy-tre javëve të fundit, të paktën gjysma e pacientëve që vijnë në urgjencë janë pozitiv me COVID. ” Njerëzit vijnë në spitalin me 25 shtretër nga gjashtë qarqe përreth për t’u trajtuar për lëndime nga puna në ferma apo sporte, dhimbje gjoksi apo grip. Zakonisht, ka vend të bollshëm. Por jo tani.

Spitali i vogël, me afërsisht gjashtë mjekë dhe 75 infermierë dhe 142 punonjës, është në krizë. “Personeli ka qenë sfida më e madhe. Kemi ende problemet e tjera të jetës së përditshme dhe tani është shtuar edhe COVID dhe shumica e personelit janë nëna të reja. Pra, nëse dërgohesh në shtëpi ose karantinohesh ose shkollat e bëjnë mësimin virtual, të gjitha këto situata gjithashtu ndikojnë në aftësinë tonë për të pasur personelin e duhur çdo ditë. ”

Infermieret po punojnë turne shtesë për të mbuluar nevojat e spitalit, thotë zonja Guffey. “Në këtë moment ne po përdorim maksimumin e burimeve tona dhe është shumë e vështirë të përballojmë edhe më shumë pacientë çdo ditë.” Nga më shumë se 13.5 milion raste koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, shteti i Misurit ka mbi 306 mijë raste të konfirmuara dhe mbi 3.800 vdekje sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA