Mësimi në 1760 institucione arsimore në të gjithë Shqipërinë nuk zhvillohet njësoj.

Pas propozimit të komitetit teknik, më 1 dhjetor 400 shkolla po zhvillojnë mësimin e kombinuar, edhe në shtëpi e në klasë brenda një jave.

Çdo të premte Ministria e arsimit miraton formën e mësimdhënies  në varësi të numrit të nxënësve dhe situatës pandemike në shkolla dhe vendimi i përcillet drejtorive e më pas njoftohen prindërit. Deri më tani 1360 institucione arsimore vijojnë mësimin sipas skenarit të parë në mjediset fizike të shkollës duke respektuar masat anticovid, se bashku me nxënësit e arsimit fillor dhe maturantët të cilët përjashtohen nga skenari i dytë i mësimit të kombinuar.

Për shkak të tërmetit ku u dëmtuan 155 shkolla, sipas Ministrisë së arsimit 60 mijë nxënës zhvillojnë mësim me 4 turne deri në orët e vona 19:45 edhe në shkollë edhe online, por ky numër do të ulet pasi 28 shkolla pritet të përfundojnë deri në fund të dhjetorit.

Më tej ministria e arsimit i përgjigjet pyetjes së Top Channel se 10 mijë nxënës nuk kanë qasje në mësimin online, por që thekson se shumica e tyre po e zhvillojnë mësimin fizikisht në ambjentet e klasës. Nga ana tjetër Ministria thotë për Top Channel  se janë shpërndarë 16 mijë tableta dhe smartphone me internet falas për një vit për fëmijët,  duke kundërshtuar në këtë mënyrë shifrën e dhënë më parë kur nevoja ishte vetëm për 10 mijë nxënës.

 

 

Top Channel