Anthony Fauci, krye eksperti i sëmundjeve infektive në SHBA, tha se Britania e Madhe u nxitua dhe nuk tregoi kujdes më aprovimin e vaksinës, ashtu siç bëri Amerika.
Anglia u bë vendi i parë në botë që miratoi përdorimin e vaksinës së Pfizerit. “ Mbretëria e Bashkuar nuk u tregua e kujdesshme”, tha ai për Fox News. “Nëse nxitohesh dhe e bën këtë gjë në mënyrë sipërfaqësore, njerëzit nuk do të duan të vaksinohen,” u shpreh ai. Fauci do të takohet në mënyrë virtuale me ekipin e tranzicionit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden rreth pandemisë së koronavirusit në vend dhe fillimit të mundshëm të vaksinimit në masë të miliona amerikanëve. Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, ka qenë për muaj me radhë figura qendrore e përgjigjes së qeverisë ndaj pandemisë.
Por paralajmërimet e tij të zymta në lidhje me rreziqet shëndetësore të virusit e acaruan Presidentin Trump, i cili e mënjanoi atë në favor të pikëpamjeve më optimiste mjekësore përpara zgjedhjeve presidenciale. Biden ka premtuar të dëgjojë këshillat e ekspertëve mjekësorë si Fauci ndërsa në Shtetet e Bashkuara po regjistrohen çdo ditë dhjetëra mijëra infeksione të reja. Sipas Universitetit Johns Hopkins, më shumë se 273,000 amerikanë kanë vdekur nga virusi, më shumë se në çdo vend tjetër.
Top Channel