Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn deklaroi se në kuadër të solidarizimit të Bashkimit Evropian, vendet anëtare do të kenë qasje në të njëjtën kohë në vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
Spahn dhe komisionarja evropiane përgjegjëse për shëndetësinë, Stella Kyriakides, dhanë deklarata për gazetarët pas takimit të mbajtur nëpërmjet internetit me ministrat e Shëndetësisë.
BE-ja është për një qëndrim shumë të gjerë lidhur me çështjen e vaksinës, tha Spahn i cili theksoi se për këtë arsye është prekur më pak nga disa vonesa dhe probleme.
Ai shtoi se ka mijëra vullnetarë për të provuar vaksinat.
“Ndërsa elementi më i rëndësishëm është efekti dhe siguria e vaksinës”, vuri në dukje Spahn duke njoftuar se “Në kuadër të solidarizimit të BE-së, 27 vendet anëtare do të kenë qasje në të njëjtën kohë në vaksinë”.
“Do të kemi qasje në 2 miliardë doza të vaksinës”
Kyriakides tërhoqi vëmendjen se shifrat në Evropë janë duke u zvogëluar por që situata është ende “e ndjeshme dhe serioze”.
Ajo tha se në Evropë për shkak të COVID-19 po humb jetën 1 person në çdo 17 sekonda. “Duhet të zbatojmë masat për të luftuar COVID-19 edhe në muajt e ardhshëm deri në zhvillimin e vaksinimit në mënyrë të suksesshme”, shtoi Kyriakides.
“Të gjitha vendet anëtare duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar teksa po afrohen pushimet e fundvitit në Evropë”, tha Kyriakides e cila vuri theksin se lirimi i hershëm i masave mund të jetë i rrezikshëm.
Pasi rikujtoi se BE-ja është përgatitur të nënshkruajë marrëveshjen e 6-të për vaksinën, Kyriakides tha se “Falë strategjisë evropiane të vaksinave do të kemi qasje në 2 miliardë doza të vaksinës”./AA/
Top Channel