Gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor në Kosovë do të përfundojë më 18 dhjetor, ndërsa ai i dyti do të fillojë në 18 janar deklaroi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin e pandemisë së COVID-19.

Ai tha se kompensimi i orëve të humbura do të bëhet gjatë pushimeve pranverore. Kryeministri u shpreh se situata me pandeminë në Kosovë është mjaft serioze, por nën kontroll.

Pas takimit të Komitetit, Hoti tha se nuk do të ketë masa shtesë, por do të vazhdojnë të mbeten në fuqi kufizimet aktuale. Rreth dy javë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit.

“Në bazë të vlerësimit të institucioneve kemi vendosur nën kontroll zgjerimin më tutje të pandemisë”, tha kryeministri. Sipas Hotit megjithatë Kosova do të vendosë disa masa të reja për festat e fundvitit, për të cilat do të vendoset nga ana e institucioneve të Kosovës në ditët në vijim. Të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 10 viktima dhe 521 infektime te reja nga koronavirusi.

Ndërkohë që qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka kërkuar Kuvendit zgjatjen e gjendjes së krizës për 6 muaj të tjerë me qëllimin të përballohet në mënyrë sa më efikase “pandemia dhe të garantohet mbrojtja e shëndetit të popullatës”. Qeveria e miratoi vendimin me kërkesë Komitetit Drejtues të Krizave, organ ky që po menaxhon me situatën pas shpalljes së situatës emergjente në 20 nëntor, në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Kërkesa e qeverisë duhet të votohet nga Kuvendi më e shumta deri në 19 dhjetor.

Në gjendjen e krizës, shteti merr më shumë fuqi si mbi sektorin publik, ashtu dhe atë privat. Në këtë mënyrë, mund të përdoren edhe burimet teknike e ato njerëzore, përfshirë dhe Ushtrinë. Aktualisht rreth 200 trupa ushtarake janë angazhuar për të siguruar spitalet e Qendrave COVID. Mjekët ushtarakë gjithashtu janë të angazhuar në trajtimin e pacientëve në qendra spitalore. Ministria vendase e shëndetësisë njoftoi se brenda një dite u regjistruan 29 viktima të reja me COVID-19 dhe 1.069 të infektuar.

Top Channel