FMN kërkon kujdes me shpenzimet/ Zgjatja e pandemisë do përkeqësojë parashikimin ekonomik të Shqipërisë

01/12/2020 15:19

“Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë ka dalë me një listë rekomandimesh për qeverinë. Ai ka kërkuar më shumë kujdes lidhur me menaxhimin e financave publike, në mënyrë që të ketë fonde të mjaftueshme për të përballuar emergjencën shëndetësore Covid-19. “

Një përkeqësim i situatës me pandeminë vlerësojnë ekspertët e FMN kërkon reagim të shpejtë dhe më shumë fonde rezervë të gatshme për t’u përdorur në çdo moment, pasi kjo do ta vinte në vështirësi të mëdha ekonominë.

Një pandemi më e rëndë do të përkeqësonte parashikimin ekonomik të Shqipërisë përmes një turizmi më të dobët, remitancave, kërkesës së jashtme, investimeve të Huaja Direkte si dhe do të sillte kushte më të shtrënguara financimi”.

Krahas masave të emergjencës, porosi FMN ka dhënë edhe për kontroll dhe transparencë të shtuar lidhur me fondet e procesit të rindërtimit. Fondi ka artikuluar edhe një herë kërkesën për moszbatimin e amnistisë fiskale si dhe ka rekomanduar ndër të tjera shmangien e ndryshimeve të shpeshta fiskale.

 “Në raport, institucioni financiar ndërkombëtar është ndalur edhe te risqet e shtuara që po përballet ekonomia shqiptare . Një zgjatje e pandemisë shihet si rreziku kryesor që po shkakton presion të madh te financat publike.”

Një sfidë për ekonominë mbetet edhe borxhi i lartë publik, një tregues ky që sipas FMN-së mund të arrijë në 88% të PBB-së, teksa parashikon një nivel në ndjeshëm më të ulët në 80.9% për këtë vit.

Shqetësim sipas fondit mbetet edhe kontratat koncesionare PPP, për të cilat kanë ripërsëritur thirrjen për rritje të kontrollit mbi këto projekte.

Rrezik i shtuar shihet edhe rritja e kredive me probleme si pasojë e pandemisë, ku shumë individë dhe biznese po hasin vështirësi në shlyerjen e huave. Në kushte të tilla, FMN bën thirrje për mbështetje ndaj tyre, diçka që sipas saj duhet të vijojë edhe vitin e ardhshëm

FMN ka mbajtur të pandryshuar vlerësimin për rënie ekonomike në -7.5% këtë vit, teksa vlerëson se rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë dhe mund të shkojë drejt stabilizimit gjatë dy viteve të ardhshme, diçka që do të varet shumë nga vazhdimësia e pandemisë.

Top Channel