Një 60-vjeçar nga Rrësheni është vetëhedhur nga kati i tretë i spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku ka ndërruar jetë.
Sipas burimeve, Leonard Skabona kishte 2 ditë i shtruar në spital dhe në gjendje të agravuar. Nuk dihen ende shkaqet që e çuan të kryente aktin e vetëvrasjes rreth orës 00:30, ndërsa mësohet se ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.
Kujtojmë se “Shefqet Ndroqi” është një ndër spitalet COVID, ku mbahen pacientët e prekur me koronavirus në vendin tonë.
Ky është viktima e pestë që ka kryer aktin e vetëvrasjes deri tani në dy spitalet, “Shefqet Ndroqi” dhe “Infektivi”.
Shkaku i vetëvrasjes së pacientëve me COVID është argumentuar me rëndesën psikologjike që sjell COVID. Ndërsa kryeministri i vendit, Edi Rama ka thënë se kjo është paralajmëruar dhe se po ndodh në shumë vende të botës. Ai theksoi se në Itali janë vetëhedhur 71 pacientë në periudhën mars-gusht.
Më herët janë vetëflijuar duke u hedhur nga dritarja e spitaleve COVID, R.G. 69-vjeç në spitalin Infektiv dhe 29-vjeçari Xh. K., H.M. rreth 65 vjeç e 53-vjeçari P.Gj., të tre në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Tiranë/Informacion paraprak
Me datë 30.11.2020, rreth orës 00:30, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali shtetasi L.S.,60 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Grupi hetimor dhe sherbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Top Channel