Mike Pompeo, vizitë të paprecedentë në kolonitë izraelite të Bregut Perëndimor, Golan (Foto)

19/11/2020 19:10
Karvani i Mike Pompeo drejt Lartesive Golan

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo ka bërë sot një turne në kolonitë e reja izraelite në tokat e pushtuara palestineze të Bregut Perëndimor, në vizitën e parë të këtij lloji nga një zyrtar i lartë i SHBA.

Vizita në koloninë e quajtur Psagot vjen një vit pasi Pompeo tha se ndërtimi i kolonive nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, në kundërshtim me qëndrimin e Evropës dhe shumicën e komunitetit ndërkombëtar.

Deklarata e tij shkaktoi zemërim te palestinezët që kundërshtojnë politikën e zgjerimit të kolonive të reja nga Izraeli në tokat ku ata kërkojnë të krijojnë shtetin e tyre.

Më pas Pompeo bëri një vizitë dhe në zonat malore të Lartësive Golan, që Izraeli ka aneksuar nga Siria.

Presidenti Donald Trump ka njohur vitin e shkuar sovranitetin e Izraelit mbi rrafshnaltën strategjike, që Izraeli mori nën kontroll që prej Luftës së Lindjes së Mesme në 1967, dhe ka aneksuar nga Siria në 1981.

Trump është aleat i ngushtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, dhe analistët thonë se vizita e Pompeo është një akt mirënjohjeje para se Trump të dalë nga skena botërore politike.

Ai erdhi me helikopter dhe vizitoi një kantinë vere në Psagot, kolonia hebreje pranë Ramallah.

Më shumë se 600,000 hebrej jetojnë në kolonitë që konsiderohen ilegale nga komuniteti ndërkombëtar, të ndërtuara që kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor në konfliktin e vitit 1967.

FOTO GALERI
2/6
Pompeo erdhi me helikopter

Top Channel