“Britania përsëri superfuqi detare e Evropës”/ Johnson shton buxhetin ushtarak me £24.1mld (foto)

19/11/2020 17:35

Kryeministri britanik Boris Johnson ka njoftuar sot buxhetin e ri ushtarak prej 24.1 miliardë paundë (€27 miliardë) shtese, për të transformuar Britaninë përsëri në fuqinë më të madhe detare të Evropës.

Investimi më i madh ushtarak britanik që prej Luftës së Ftohtë do të përdoret për krijimin e një komande ushtarake të hapësirës, një ushtri të re kibernetike dhe një agjenci të inteligjencës artificiale, deklaroi me krenari kryeministri.

Në fjalimin e tij ambicioz për vizionin e të ardhmes post-Brexit, Johnson tha mes të tjerash se “epoka e tërheqjes mori fund”, prandaj do i japë ushtrisë injeksionin më të madh të parave në disa dekada.

Qeveria tha se do të shpenzojë një shumë shtesë prej 24.1 miliardë paundë në katër vitet e ardhshëm, 16.5 miliardë më shumë nga sa ishte premtuar në manifestin e konservatorëve vitin e kaluar.

“Shpenzimet plus do të rivendosin statusin e Britanisë si fuqi parësore detare në Evropë”, deklaroi ai.

Disa luftanije të reja do të ndërtohen në atë që kryeministri quante “nxitje të rilindjes” në ndërtimin e anijeve në portet e Glasgow, Rosyth, Belfast, Appledore e Birkenhead.

Por Johnson refuzoi pyetjet se si do të nxirreshin shpenzimet e reja, mes zhurmave se do të reduktohen fondet e ndihmave të huaja.

Ai shtoi mes të tjerash se plani i tij do të hapë 40,000 vende të reja pune në katër vjet, përqindja e shpenzimeve për ushtrinë do të arrijë në 2.2 për qind të DGP-së, dhe se vitin që vjen aeroplanmbajtësja e re britanike HMS Queen Elizabeth me grupin shoqërues do të nisë lundrimet në Mesdhe, Oqeanin Indian dhe Azinë Lindore.

FOTO GALERI
2/9
Njesite e reja do te fokusohen ne inteligjencen artificiale

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA