Studiuesit: Dinosaurët do të kishin lulëzuar në tokë, po të mos kishte qenë për asteroidin

18/11/2020 21:20

Dinosaurët do të kishin lulëzuar duke vijuar të dominonin jetën në tokë nëse nuk do të ishin zhdukur nga goditja fatkeqe e asteroidit, thuhet në një studim të ri britanik.

Pas lindjes së tyre gjatë periudhës Triasike të planetit rreth 230 milionë vjet më parë, dinosaurët pushtuan çdo kontinent dhe dominonin ekosistemet tokësore, derisa u kthyen në një specie të zhdukur nga impakti i një asteroidi rreth 66 milionë vjet më parë.

Disa studime kanë sugjeruar se dinosaurët kishin nisur të humbisnin epërsinë e tyre dhe ishin drejt zhdukjes në periudhën para goditjes madhore të asteroidit.

Por studiues të Universitetit të Bath kërkojnë ta hedhin poshtë këtë teori duke përdorur analiza statistikore për të vlerësuar nëse kafshët gjigande ishin ende të afta të prodhonin specie të reja, deri para fundit të tyre të parakohshëm.

“Ajo që ne zbuluam është se dinosaurët ishin ende dominues, ishin të kudondodhur në planet dhe nuk ishin të rrezikuar”, thotë autori kryesor i studimit Joe Bonsor.

“Nëse impakti i asteroidit nuk do të kishte ndodhur ata nuk do të ishin zhdukur dhe dos të kishin vazhduar pas epokës Kretaceane”, thotë Bonsor, student doktoraturë në Muzeumin e Historisë Natyrore në Londër.

Gjatë më shumë se 150 milionë viteve të tyre në tokë, dinosaurët evoluan në shumë specie dhe forma me madhësi nga më të ndryshmet. Ekspertët besojnë se diversiteti i formave të tyre ishte çelësi i mbijetesës dhe dominimit të tokës.

Disa prej tyre kishin mburoja kockore në trupin e tyre, disa kishin kreshta, dhëmbë gjigande dhe të tjera madje edhe pupla.

Studime të mëparshme tregojnë se diversiteti i tyre kishte nisur ndrydhjen dhe se dominimi po humbiste. Por studimi i fundit i publikuar të martën, argumenton se konkluzionet e mëhershme mbi modelet e pemës familjare të dinosaurëve bazoheshin në të dhënat e fosileve.

Studiuesit e Universitetit të Bath thonë se të dhënat e përmirësuara tregojnë se dinosaurët ishin në fakt duke lulëzuar në tokë, ku speciet e tyre herbivore si hadrosaurët, ceratopsianët dhe ankilosaurët dominonin në Amerikën e Veriut, ndërsa karnivorët abelisaurë lulëzonin në Amerikën Jugore.

“Pika kryesore e studimit tonë është të themi se nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të ditur çfarë ndodhi me ta”, shton Bonsor. “Në përgjithësi të dhënat e fosileve kanë boshllëqe të cilat interpretohen si ulje e diversitetit të specieve, por ne po tregojmë se nuk ka prova decizive për zhdukjen e tyre”, shtoi ai.

Alfio Alessandro Chiarenza, palaeontolog i Imperial College në Londër, i papërfshirë në studim tha në një email se studimi perdor “të dhënat më të plota të pemës evolucionare të dinosaurve”, prandaj shton peshë në argumentin se dinosaurët jo-fluturues nuk ishin të rrezikuar në atë periudhë.

“Prandaj për të perifrazuar, kjo është mënyra sesi morën fund dinosaurët, jo me vuajtje të zgjatura por me një goditje të fortë e të shpejtë,” tha Chiarenza.

FOTO GALERI
2/3
Fosile dinosauri sauropod te gjetura ne Patagonia

Top Channel