Katër raketa goditën Zonën e Gjelbër në Bagdad të martën, sipas ushtrisë së Irakut, duke plagosur të paktën dy persona dhe duke sinjalizuar fundin e një armëpushimi jozyrtar të shpallur nga kryengritësit e mbështetur nga Irani në tetor.
Raketat u shkrepën nga lagjia al-Amin al-Thaniyah e Bagdadit, sipas deklaratës së ushtrisë irakiane. Dy zyrtarë irakianë të sigurimit thanë se raketat shpërthyen vetëm 600 metra larg ambasadës amerikane dhe u interceptuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore C-RAM i instaluar nga Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Dy anëtarë irakianë të sigurisë u plagosën në këtë sulm, thanë zyrtarët. Ata folën në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret ushtarake. Sulmet e shpeshta që kanë në shënjestër ambasadën amerikane kanë bërë që Uashingtoni të kërcënojë të mbyllë misionin e tij diplomatik në Bagdad dhe shkaktoi një krizë diplomatike para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Në mes të tetorit, grupet kryengritëse të mbështetura nga Irani njoftuan se do të ndalnin përkohësisht sulmet kundër pranisë amerikane në Irak, përfshirë ambasadën, me kusht që trupat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara të tërhiqeshin nga vendi. Sulmi vjen pas një njoftimi të fundit nga Pentagoni për uljen e nivelit të trupave në Irak nga 3,000 në 2,500.
Një tërheqje e planifikuar ka qenë duke u zhvilluar në Irak për muaj me radhë, me tërheqjen e një numri trupash të koalicionit nga disa baza irakiane./VOA
Top Channel