“Me 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim deputetët e parlamentit kanë miratuar në seancën plenare ligjin për buxhetin e vitit 2021, i cili do të fokusohet te përballimi i pandemisë Covid-19, rindërtimi si dhe te rimëkëmbja ekonomike e vendit.”

Sistemi shëndetësor është fokusi i ligjit më të rëndësishëm financiar për vitin e ardhshëm, teksa mbështetje parashikohet edhe për sektorët e tjerë të ekonomisë.

Anastas Angjeli: Është një buxhet antikrizë, që adreson nevojat e momentit. Vëmendja është të shëndetësia dhe paralelisht mbështeten shtresat vulnerabël të qeverisë. Po ashtu, mbështet sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit. Paketa e rimbursimit, rritet me rreth 16.5 miliardë lekë ose rreth 23.3% më shumë se në vitin 2020.

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon nivelin më të lartë të investimeve publike në 10 vitet e fundit, me rreth 587 miliardë lekë, para që do të shkojë për përfundimin e projekteve infrastrukturore si dhe nisjen e investimeve të reja.

Mbështetje buxhetore do të marrë edhe ndërtimi i Teatrit Kombëtar me rreth 600 milionë lekë të alokuara.

Plan ambicioz ekzekutivi ka planifikuar edhe për të ardhurat buxhetore, të cilat pritet të arrijnë në 479 miliardë lekë ose rreth 10.6% më shumë se në 2020-ën.

Teksa pret që ekonomia ti rikthehet normalitetit në 2021, qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike prej 5.5% , ku procesi i rindërtimit që ka marrë një fond buxhetor prej 28 miliardë lekësh për vitin e ardhshëm pritet të shërbejë si një ndër shtyllat ku mbështetet ky vlerësim optimist, që do të varet ndjeshëm edhe nga ecuria e pandemisë.

Borxhi publik nga ana tjetër parashikohet t’i kthehet rënies për t’u ulur në nivelin e 78.6% gjatë 2021.

Top Channel