Romanovët kanë qenë dinastia me e sukseshme e kohëve moderne, duke sunduar një të gjashtën e sipërfaqes së botës.

Si arriti një familje mbretërore të shndërronte një principatë të rrënuar nga lufta në një nga perandoritë më të mëdha të botës? Dhe si e humbi pastaj krejt atë? Kjo është historia e vërtetë e dymbëdhjetë carëve dhe careshave, disa të karakterizuar nga gjenialiteti, disa nga çmenduria, por të gjithë të frymëzuar nga autokracia e shenjtë dhe ambicia perandorake. Kjo kronikë tejet rrëmbyese e Montefiores nxjerr në pah botën e tyre të fshehtë për një etje të pakufishme për pushtet dhe për ndërtimin e një perandorie të pamëshirshme. Ajo është një botë e mbushur me koncpiracione të oborrit mbretëror, rivalitete familjare, dekadencë seksuale dhe ekstravagancë të egër, me një kastë aventurierësh, kurtizanesh, revolucionarësh, dhe poetësh, nga Ivani i Tmershëm deri tek Tolstoi, nga mbretëresha Viktoria deri te Lenini.

Sundimi i Rusisë ka qenë sa një mision i shenjtë perandorak, aq edhe një kupë e helmatisur: gjashtë carë janë vrarë me atentate. Pjetri i Madh torturoi djalin e vet deri në vdekje, ndërkohë që po e bënte Rusinë perandori dhe po e dominonte oborrin e tij si një klub që kishte marrë nam për dehjet e detyruara, xhuxhët lakuriqë dhe veshjet luksoze. Katerina e Madhe rrëzoi nga pushteti të shoqin – që shpejt pas kësaj u vra – u dashurua me favoritët e saj meshkuj rioshë, pushtoi Ukrainën dhe magjepsi Europën.

Pavlin l e mbyti me duar i biri, Aleksandri l, i cili u përball me pushtimin e Napoleonit dhe me djegien e Moskës dhe vijoi me pushtimin e Parisit. Aleksandri ll çliroi bujkrobërit, u mbijetoi pesë atentateve dhe shkroi letrat e dashurisë më të spikatura që mund të jenë shkruar ndonjëherë nga ndonjë sundimtar.

Libri “Romanovët” mbërrin kulmin e vet me një portretizim të freskët dhe të paharrueshëm të Nikollait dhe Aleksandrës, të ngritjes dhe të vrasjes së Rasputinit, të luftës dhe të revolucionit – dhe masakrës së përbindshme të të gjithë familjes perandorake.

Komente mbi librin

“Libër rrëmbyes… Historia e Romanovëve është shkruar shumë herë, por asnjëherë me një kombinim të tillë kaq tërheqës të shijes letrare, fuqisë treguese, kërkimeve ngulmuese dhe depërtimeve psikologjike.”

Douglas Smith, Literary Review

“Një histori epike e shkallës më madhështore… Në krahasim me të, “Loja e froneve” ngjan si festa proverbiale e çajit të famullitarit… Duke lexuar rrëfimin e shkëlqyer të Montefiores është e vështirë të përfytyrosh se si mundi të mbijetonte kjo monarki.”

Antony Beevor, Financial Times

“Një rrëfenjë e jashtëzakonshme dhe tërheqëse… Vende – vende e tmerrshme, gazmore dhe prekëse, por përfundimisht tragjike, dhe ky është kuptimi themelor për cilindo njeri që interesohet për Rusinë.”

Adam Zamoyski, The Spectator

“Rrëmbyes dhe depërtues në mënyrë të mahnitshme… zbulimtar i mrekullueshëm… libri “Romanovët” është një rrëfenjë tërheqëse dhe gati e pabesueshme mbi dinastinë mbretërore më të suksesshme që nga perandorët romakë, të cilën Sebagu e tregon në mënyrë të shkëlqyer.”

Saul David, Evening Standard

“Vepër e rrallë… e bazuar në kërkime të imtësishme dhe e shkruar me një stil magjepsës.”

John Kampfner, The Observer

Të dhëna mbi librin

Titulli: Romanovët 1613 – 1918
Origjinali: The Romanovs 1613 – 1918
Gjinia: Histori
Autori: Simon Sebac Montefiore
Shqipëroi: Stavri Pone, Eduard Sula
Shtëpia botuese: Botimet 55
Viti: 2017
Fq. 1000
ISBN: 978-9928-106-41-4

Top Channel