Shërbimi sekret/ SHBA, 130 oficerë me koronavirus

14/11/2020 16:26

Më shumë se 130 oficerë të Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin ose kanë qenë në kontakt të ngushtë me kolegët e infektuar, njoftoi gazeta “The Washington Post”.

Raporti, i botuar të premten, iu atribua tre personave “me njohuri për stafin e agjencisë”.Oficerët e Shërbimit Sekret, të cilët, ndër të tjera, kanë edhe detyrën për të mbrojtur Presidentin Donald Trump kur ai udhëton, si dhe kur është në Shtëpinë e Bardhë, u urdhëruan kohët e fundit të vetëizoloheshin, thuhej në njoftim.

Burimet, të cilët gazeta thotë se folën në mënyrë anonime që të shpreheshin më lirshëm, thanë se infeksionet besohet se kanë të bëjnë me tubimet e fushatës që Presidenti Trump mbajti para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Raporti citon gjithashtu burimet të thonë se rreth 10% e ekipit kryesor të sigurisë së agjencisë është “mënjanuar”.

Presidenti Trump, anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe një numër në rritje i zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe të ekipit elektoral kanë rezultuar pozitivë kohët e fundit për koronavirusin pas aktiviteteve të fushatës, ku shumë zyrtarë të administratës dhe të pranishmit e tjerë nuk kishin maska.

Shtëpia e Bardhë dhe Shërbimi Sekret nuk e komentuan menjëherë raportin, por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere i tha gazetës se administrata e merr “seriozisht çdo rast” dhe e referoi gazetën tek Shërbimi Sekret për përgjigje ndaj pyetjeve për përhapjen e infektimeve. Një zëdhënës i agjensisë nuk pranoi të komentojë për gazetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA