Brenda 'Infektivit'

Top Channel ka mundur që të futet në ambientet e spitalit Shefqet Ndroqi mbrëmjen e sotme.

Gazetarja Sidorela Gjoni ndodhet në këto momente brenda spitalit e shoqëruar nga shefja nr. 2 e “Shefqet Ndroqit”, Silva Bala.

Doktoresha Bala thotë se spitali ka 170 pacientë dhe janë të moshave të ndryshme. “Kemi 170 pacientë me mosha të ndryshme, nga 30 deri 85 vjeç, ja do ta shikoni vetë. Zhurma është shumë herë më e vogël se sa jeta e atij që do shpëtojë, zhurma e oksigjenit bëhet pjesë e jetës së tyre, kjo nuk është vetëm në spitalin tonë, është edhe në spitalin më të përparuar në botë. Unë kur shkoj në shtëpi më thonë familjarët që vetëm kur vjen në shtëpi shihesh që je e lumtur”, tha Bala.

“Media të bëhet me ne dhe jo me ata që bëjnë skupe, të tregojë se si t’i parandalojmë këto”, tha doktori i spitalit Infektiv.

Gazetarja ka mundur të hyjë në disa dhoma ku qëndrojnë pacientët e prekur, ku i ka intervistuar nga afër. Dhomat e Infektivit nuk janë të tejmbushura dhe numri maksimal i pacientëve është deri në 5.

“Jam më  mirë se ç’isha, kam 10 ditë e shtruar, fillimisht kisha temperature por tani nuk kam më”, tha një e prekur me COVID-19.

Në spitalin, ku janë vetëhedhur shumë pacientë çdo gjë duket e qetë përveç zhurmës së oksigjenit, ku njëri prej pacientëve tha se mësohesh pas disa kohësh.

“Nuk është e bezdisshme sepse mësohesh pas disa kohësh”, tha i infektuari që po merrte oksigjen.

FOTO GALERI
2/14

Top Channel