Fiks Fare denoncoi veprimet e një punonjësi të Policisë në Berat, i cili lëviz me një automjet pa siguracion, pa taksa dhe madje edhe pa kolaudim. Për disa vite me radhë, ky punonjës ka qarkulluar i lirë në Berat dhe Kuçovë me këtë mjet, të cilin as në emrin e tij nuk e kishte kaluar.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua z.Emiljan Didi, i cili ankohet se ka pasur një automjet tip “Lancia” me targa AA 298 IS, të cilin ia ka kaluar me prokurë dajës së tij. Daja, tre vite më parë e ka shitur këtë mjet z.Romir Ilia, aktualisht specialist automekanikë në Drejtorinë e Policisë së Beratit. Ky i fundit, gjatë këtyre viteve, nuk ka paguar asnjë detyrim për mjetin, madje edhe pronësia vazhdon të jetë e denoncuesit.

Z.Didi thotë se ka shkuar disa herë në Policinë e Beratit dhe në Drejtorinë e Transportit Rrugor, por e kanë sorollatur në zyra. Ai thotë se është emigrant dhe nuk ka mundësi që të ndjekë procedurat, pasi edhe gjobat që merr aktualisht punonjësi i policisë i shkojnë në shtëpi nënës së tij të moshuar. Ai kërkoi ndihmën e emisionit, pasi në Policinë e Beratit nuk i kanë marrë denoncimin.

Pas ankesës, gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Berat dhe Kuçovë, ku për tri ditë me radhë, vëzhguan lëvizjet e mjetit. Në ditën e parë, mjeti ishte parkuar para policisë. Në ditën e dytë, mjeti lëvizte nga Kuçova në drejtim të qytetit të Beratit. Ndërkohë, në ditën e tretë, mjeti ishte brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Beratit.

Gazetarët e emisionit investigativ takuan edhe z.Ilia, i cili pranoi se mjeti me të cilin lëviz është “pa letra”. Por, megjithatë, ai lëvizte lirisht në Kuçovë dhe Berat. “Unë i kam blerë një makinë dajës së këtij me prokurë, mbarova pjesën e kësaj. Bëra taksimin. Ta mbaj, mos ta mbaj. Ça t’i bëj, ça t’i bëj dhe për një moment e lashë makinën, nuk e përdorja. E kupton! Kaloi ca kohë, filloi dimri më duhesh, se çoja çupën në kopsht dhe e merrja, në rutinën e kësaj. Erdhi ky djali dhe më thotë se ky nuk banon këtu, banon në Gjermani, nuk është bërë ndryshimi i certifikatës së pronësisë” tha ai, ndërsa shtoi se do ti paguajë të gjitha detyrimet në momentin që do të marrë rrogën.

Disa orë pas këtij takimi, punonjësi i policisë na kontakton dhe na dërgonte gjitha dokumentet e ndryshuara të mjetit. Në këto dokumente, z.Romir Ilia ka paguar taksat, ka prerë siguracion dhe ka ndryshuar edhe pronësinë e mjetit. Pra, qytetari u sorollat për më shumë me të gjitha këto procedura, ndërkohë që pas interesimit të Fiksit, detyrimet disa vjeçare i pagoi për disa orë.

***

Drejtoria e Policisë Berat

Gazetari – Si kalove, Romirin Deshëm ne, Romir Ilia. Një minutë!
Punonjësi i policisë – Aty!
Gazetari – Nga?
Punonjësi i policisë – Aty (te sporteli).

Gazetari – Na duhet të kontaktojmë me një punonjës, Romir Ilia. Duhet të jetë specialist automekanikë, te transporti, sektori i logjistikës.
Sportelistja e policisë – (Telefonon specialistin) Si kalove, të kërkojnë këto të Top Channel, gazetarët!

Punonjësi i policisë – Unë i kam blerë një makinë dajës së këtij me prokurë, mbarova pjesën e kësaj. Bëra taksimin. Ta mbaj, mos ta mba. Ça ti bëj, ça ti bëj dhe për një moment e lashë makinën, nuk e përdorja. E kupton! Kaloi ca kohë, filloi dimri më duhesh, se çoja çupën në kopsht dhe e merja, në rutinën e kësaj. Erdhi ky djali dhe më thotë se ky nuk banon këtu, banon në Gjermani, nuk është bërë ndryshimi i certifikatës së pronësisë…
Gazetari – Dhe nuk janë paguar taksat!
Punonjësi i policisë – Atë vit i pagova taksat kur e bleva.
Gazetari – Tani, para dy javësh nuk i kishe paguar.
Punonjësi i policisë – Jo, jo sot nuk i kam paguar, të them sinqerisht…
Gazetari – Dhe ti lëviz e kësaj ditë lëviz me atë makinë.
Punonjësi i policisë – S’është se lëviz, hera herës lëviz.
Gazetari – Dhe nuk ke paguar…
Punonjësi i policisë – Dakord, dakord. Dhe unë këtij djali i kam thënë kjo makina ka dy gjoba 10 mijë lekëshe. Unë po i paguaj tani në këtë sekondë. Dhe në momentin që unë të marr rrogën do ta paguaj këtë që do ndryshohet kjo pjesa e kësaj. Unë tani, në datën 10 do ta paguaj.
Gazetari – Gjobat?
Punonjësi i policisë – Komplet, gjobat me ndryshimin e pronësisë që ai mos të ketë më.
Gazetari – Po taksat janë paguar?
Punonjësi i policisë – Po bashkë me taksat se nuk po të, të…
Gazetari – Si lëviz pa taksa? Si ke lëvizur pa taksa, si ke lëvizur pa siguracion, si ke lëvizur pa kolaudim? Ajo është me benzinë-gas, ajo do vetëm një certifikim vetëm për impiantin e gazit se po bën mbi 10 vjet që është vënë.
Punonjësi i policisë – Impianti i gazit kjo e ka nga fabrika dhe sot nuk punon më. Unë atë makinë do ta mbyll. Ja, të tregoj, më tha venë kaq, megjithë ndryshimin e pronësisë, venë 370 mijë lekë. Një dakortësi, unë makinën do ta mbyll nesër, që mos të merrem më me këto…
Gazetari – Je specialist këtu (në Policinë Berat)?
Punonjësi i policisë – Unë jam specialist i automekanikes, te transporti.
Gazetari – Te logjistika?
Punonjësi i policisë – Po te logjistika!
Gazetari – Si ke lëvizur gjatë kësaj kohe?
Punonjësi i policisë – Nuk është makinë që e kam përdorur hera herës, e kupton.
Gazetari – Është si është… Ti e bën çdo ditë, nga Kuçova deri këtu.
Punonjësi i policisë – Jo, jo banoj këtu, nuk banoj në Kuçovë.
Gazetari – Po para dy ditësh ke qenë në Kuçovë.
Punonjësi i policisë – Më ka vdekur daja dhe mora plakën.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel