AKPA nënshkruan marrëveshje me Dhomën Kombëtare të Zejtarisë, Denaj: Nisma ‘Gjej një mjeshtër’, në funksion të nxitjes së zejtarisë

11/11/2020 18:05

Ditën e sotme, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes mes Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive me Dhomën Kombëtare të Zejtarisë, në funksion të nxitjes së zejtarisë dhe punësimit, në përfitim të të rinjve dhe zanatçinjve.

Bashkëpunimi më biznesin sidomos nëpërmjet programeve të punësimit është një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare, për të rritur numrin e të punësuarve, si dhe për të plotësuar nevojat e tregut. Kjo edhe si një nismë për zbutjen e efekteve negative të pandemisë në sektorin e punësimit duke mundësuar rikthimin e atyre që humbën vendet e punës.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) tashmë i ka orientuar programet e nxitjes së punësimit dhe formimit profesional drejt kërkesave të sipërmarrjes.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.

Zhvillimi i tregut të punës dhe përshtatja e kurseve të formimit profesional me kërkesat e tregut të punës, sipas standardeve të BE, mbetet në fokus të punës së përditshme të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, tha Denaj, duke shtuar, se rritja e investimeve në shkollat dhe kurset profesionale do të bëjë të mundur modernizimin dhe promovimin e mëtejshëm i zejtarisë në të gjitha zonat e Shqipërisë, ato urbane dhe ato rurale , për t’i dhënë një hov të ri këtij sektori.

Prej muajit Shtator 2020, Qeveria Shqiptare po zbaton programet e reja të punësimit, përmes të cilave kemi synuar jo vetëm rikthimin në punë të personave të larguar gjatë pandemisë, por mbi të gjitha punësimit e të rinjve, shtresave në nevojë dhe aftësimin përmes punës, tha Denaj, duke i paraqitur si një mundësi të mirë, për çdo zejtar në vend, i cili është në kërkim të ndihmësve në zanatin e tyre. Kjo është një mundësi për të shpërndarë dijet dhe për të kaluar një zanat në brezat e rinj.

Ministrja i njohu sipërmarrësit, përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Zejeve, se buxheti i planifikuar për Programin e Arsimit të Mesëm Profesional, për vitin 2021, është 3.3 miliardë lekë, ose 9.5% më shumë se ky vit, çka tregon rëndësinë që po i jepet këtij sektori.

Sipas Ministres Denaj, këto fonde do të bëjnë të mundur rekrutimin dhe trajnimin e mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe, që ndjekin shkollat e mesme profesionale, si dhe hartimin e standardeve të profesioneve dhe kualifikimeve, krijimin e kurrikulave për të përmirësuar cilësinë e tyre dhe gjetjen e atyre cilësive profesionale që i vlejnë tregut të punës, zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së trashëgimisë.

Aktualisht Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Dhoma Kombëtare e Zejeve kanë nisur bashkëpunimin më pasurimin e listës së profesioneve zejtare në të gjithë vendin.

Top Channel