Të dielën e 8 nëntorit u nda nga jeta aktori i humorit, Koço Devole.
Aktori e skenaristi i njohur u shtrua në spital si pasojë e infektimit me COVID-19. Më datë 30 tetor, i ndjeri doli nga ambientet e Infektivit, por shpejt gjendja e tij u përkeqësua dhe u dërgua përsëri në spital, por këtë herë në intubim. Ajo çka e rëndoi akoma dhe më shumë gjendjen e tij shëndetësore ishte leucemia, sëmundje të cilën aktori ka vuajtur më herët. Emisioni “Ftesë në 5”, drejtuar nga moderatorja Bieta Sulo, i kushtoi pjesën e parë të puntatës së të hënës, homazheve në nder të aktorit.
I ftuar me anë të një lidhjeje direkte ishte Agron Llakaj, mik shumë i afërt me Koçon, por edhe një njohës i sëmundjes COVID-19, pasi para pak javësh ishte edhe vetë i infektuar. Llakaj tha se Koço Devole ishte një aktor i shkëlqyer dhe shtoi se veç njohjes profesionale ato njiheshin edhe familjarisht, e ishin të pandarë bashkë me Filip Çakullin. Agron Llakaj kujtoi një anekdotë që lidhet me Koçon.
“Kur kam dalë për herë të parë në skenë”, tha Llakaj, “nuk mbaja mend daljen dhe Koço me humorin që e karakterizonte thoshte: Bravo Agron Llakaj, andej ku hyre dil”.
“E kam njohur në dy aspekte, Koço me profesionin, Koço njeriu. E kemi shoqëruar njëri-tjetrin jo vetëm në anën profesionale, por ishim të lidhur familjarisht, që me Filipin. Kur kam dalë për herë të parë në skenë kam qenë në pallatin Partizani, skenografia ishte një lloj rombi. Pallati i sportit ishte tepër i ngjeshur, në fund fare nuk dija në cilin krahë do të dilja. Ai thoshte faleminderit Agron Llakaj, këndej nga dole. Kam qeshur, më ka takuar më ka përshëndetur, më ka thënë që nuk duhet të heqësh dorë nga ky profesion, sepse është i bukur. Nuk e ndaja dot Koço Devolemn me Filip Çakullin. Unë në fund të fundit, mes nesh një Filip që jo vetëm na ka mbështetur, por na ka qëndruar fare pranë. Është një mik që nuk del dot në ekran. I tha Filipi, kur doli nga spitali, pse u ktheve kam përgatitur fjalimin e lamtumirës, tha Koço po na e sjell që ta redaktoj mër burrë. Nuk është dita sot që të qeshim në një detaj që na ka lidhur me Koçon. Unë kam emocionin dhe kam përkujtimin tim me të. Para 20 ditësh kur kam qenë me Covid. Filipi më thërriste zhapik, mos e merr me panik, është një gjë që do të kalojë”, tha Llakaj.
Top Channel