Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka përgatitur një letër dorëheqjeje, njoftoi “NBC News” të enjten ndërsa SHBA pret rezultatet e zgjedhjeve të saj presidenciale.
Media amerikane e lajmeve citoi tre zyrtarë aktualë të mbrojtjes të cilët kishin deklaruar se Esper përgatiti letrën “sepse ai është një nga zyrtarët e kabinetit që prej kohësh pritej të dëbohej pas zgjedhjeve”.
Shefi i Mbrojtjes ka qenë prej kohësh në kundërshtim me presidentin, Donald Trump, sipas raporteve të shumta, përfshirë edhe përdorimin e Gardës Kombëtare nga Trump për të shuar protestat këtë verë.
NBC News tha se Esper po ndihmon anëtarët e Kongresit të hartojnë legjislacionin për heqjen e emrave të udhëheqësve të Konfederatës nga bazat ushtarake.
Sipas zyrtarëve, këtë javë, Esper u dha një kornizë të shkruar udhëheqësve të Pentagonit për riemërtimin e reparteve, ndoshta edhe të anijeve dhe emrat e rrugëve në baza që nderojnë gjeneralët ose udhëheqësit e Konfederatës.
Ky hap i Esper-it mund të thellojë edhe më shumë kundërshtimin me presidentin, thuhet në raport.
Disa orë më vonë, megjithatë, zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman e quajti raportin e “NBC News”, “të pasaktë dhe mashtrues për shumë arsye”, duke thënë se Esper nuk planifikon të japë dorëheqje dhe nuk iu kërkua të paraqiste një letër dorëheqjeje.
“Ai vazhdon t’i shërbejë kombit si Sekretar i Mbrojtjes me kënaqësinë e presidentit dhe po punon për zbatimin e pakthyeshëm të Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes”, tha Hoffman në Twitter.
Raporti u publikua ndërsa SHBA pret rezultatet e zgjedhjeve që do të vendosin se kush do të bëhet presidenti i 46-të i vendit.
Top Channel