Industria e lojërave të fatit në SHBA përfitoi mjaft nga zgjedhjet e së martës, që përveç garës presidenciale përfshinin edhe votime për çështje të tjera.
Tre shtete, Merilend, Dakota e Jugut dhe Luiziana autorizuan bastet e ligjshme sportive, ndërsa tre të tjera miratuan ose zgjeruan lojërat e fatit në kazino.
Kjo krijon një situatë në të cilën deri në fund të vitit të ardhshëm më shumë se gjysma e vendit mund të lejojë bastet e ligjshme sportive, tre vjet pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të SHBA, që i hapi rrugën të 50 shteteve amerikane t’i miratonin ato nëse vendosnin ta bënin këtë.
Virxhinia miratoi bixhozin e kazinosë në katër vende, Nebraska autorizoi shtimin e lojërave të kazinosë në pistat e saj të garave me kuaj dhe Koloradoja zgjeroi numrin dhe llojin e lojërave të kazinosë që mund të ofrojë, së bashku me eliminimin e disa kufijve në baste.
“Duket se amerikanët po i pranojnë gjithnjë e më shumë lojërat e fatit të legalizuara”, tha David Schwartz, historian i lojërave të fatit në Universitetin e Nevadës në Las Vegas. “Shtimi i kazinove në Virxhinia dhe kazinove të pistave me kuaj në Nebraska tregon se lojërat e fatit në stilin e kazinos janë gjithashtu në rritje. Kemi arritur një pikë ku votuesit duken të kënaqur që legalizimi i lojërave të fatit do të ofrojë të ardhura për shtetin e tyre.”
Shoqata Amerikane e Lojërave, grupi kryesor i industrisë së kazinosë, i përshëndeti rezultatet e votimit për zgjerimit e lojërave të fatit. Deri në fund të vitit 2021, të paktën 25 shtete dhe Uashington DC mund të lejojnë bastet e ligjshme sportive.
Votuesit në katër qytete të Virxhinias – Bristol, Danvil, Portsmuth dhe Norfolk – miratuan masa që autorizojnë kazinotë. Në Kolorado, kazinotë mund të heqin pengesat që i kufizojnë bastet deri në 100 dollarë./VOA/
Top Channel