Fiks Fare/ Nxënësit e mjeshtërisë sportive të futbollit pa fushë, paguajnë me lekë fushën për të kryer stërvitje

02/11/2020 20:40

Nxënësit e shkollës se mesme të mjeshtërisë sportive të futbollit ‘Loro Boriçi’  paguajnë para për procesin mësimor.

Edhe pse është shkollë publike nxënësit që e frekuentojnë këtë  shkollë, janë të detyruar të paguajnë për stërvitjen, fushën ku stërviten pagesa ditore që kapin shifrat nga 150 deri në 200 lekë.

Gjithashtu nxënësit kryejnë pagesa për ndeshjet që zhvillojnë dhe për ambulancën që të duhet më patjetër ta kenë të pranishme. Këtë e konfirmon edhe një punonjës i  kësaj shkolle, duke theksuar se problemi kryesor i këtij viti akademik në shkollën ‘Loro Boroçi’ është pikërisht pagesa që nxënësit janë të detyruar të kryejnë për të bërë procesin mësimor. Kjo sipas punonjësit pasi fushat ku ata stërviten dhe luajnë janë nën administrim të FSHF-së. Por për këtë vit akademik  ende nuk është arritur një marrëveshje midis Ministrisë së Arsimit  dhe Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për përdorimin e fushave nga ana e këtyre nxënësve falas.

Gazetarët e emisionit Fiks Fare shkojnë në shkollën e mjeshtërisë sportive ‘Loro Boroçi’ për ta ndjekur nga afër këtë problem. Në fushën ku bëhej stërvitja gazetarët e Fiksit takojnë shefin e departamentit Argit Çenej, të cilit i marrin një intervistë për këtë problem. Z. Cenej tregon se ky është një problem i madh për nxënësit pasi  në vitet e shkuara nuk ka patur pagesa, por vetëm këtë vit dhe kanë nisur që prej 14 shtatorit. Problemin e kanë ngritur duke e adresuar në ministri, por gjithashtu edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit, por nuk ka marrë zgjidhje. Për këtë arsye kanë qenë të detyruar që edhe shumë ndeshje t’i anulojnë.

Gazetarët e Fiksit  pyetën disa nxënës të kësaj shkolle që konfirmuan se ky është viti i parë që po aplikohen pagesa për çdo gjë.  Edhe pse frekuentojnë një shkollë publike  ata shprehen se pagesa mujore  u shkon 8000 lekë.  Duke i shtuar këtu edhe pagesën e konviktit prej 6500 , për ata që qëndrojnë në konvikt.  Ata tregojnë se paguajnë uniformat vetë, ambulancën dhe çdo ditë fushën e futbollit ku stërviten. Në raste se kanë ndeshje jashtë rrethit paguajnë vetë edhe autobuzin. Pra një shkollë shtetërore ku paguhet çdo gjë.

Fiks Fare dërgoi një shkresë zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, për të cilën nuk mori përgjigje.

Shumë nga nxënësit e frekuentojnë këtë shkollë të mjeshtërisë sportive pikërisht nga tarifat e ulta, pasi regjistrimi në gjimnaz të mundëson edhe konvikt me tarifa të ulëta. Madje këtë shkollë e frekuentojnë edhe shumë kosovarë, përveç të rinjve nga e gjithë Shqipëria.

FOTO GALERI
5/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA