Shmanget tragjedia në Durrës/ Shpërthen në flakë makina e vëllait të Bujar Nishanit, në një nga rrugët kryesore të qytetit

31/10/2020 10:30

Një automjet ka shpërthyer në flakë në një nga rrugët kryesore të qytetit bregdetar të Durrësit. Automjeti është i vëllait të shpresidentit Bujar Nishani, Ilir Nishani. Ngjarja ndodhi në orën 10.05 pranë pallatit të sportit ”Ramazan Njala”.

Mjeti tip Benz 280 ishte në lëvizje kur shpërthyen flakë në pjesën e përparme, te motorri. Drejtuesi, Ilir Nishani, prokuror, ndali mjetin dhe doli menjëherë jashtë tij duke shmangur dëmtimin personal.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit që bënë të mundur shuarjen e zjarrit. E gjithë zona u pushtua nga tymi dhe incidenti ka shkaktuar trafik të rënduar në një nga kryqëzimet më të ngarkuara në qytet.

Automjeti me targë Aa 330 VO ishte me gaz dhe benzinë dhe vetëm ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve shmangu shpërthimin e bombulës së gazit që ndodhej në pjesën e pasme të mjetit, në bagazhin e tij.

Një shpërthim i mundshëm do të kishte shkaktuar një tragjedi në një zonë me shumë lëvizje dhe këmbësorë kureshtarë që iu afruan mjetit.

Aktualisht, policia vendosi shiritat e vendngjarjes duke bllokuar krejtësisht lëvizjen përgjatë rrugës ”Mujo Ulqinaku” që lidh pallatin e sportit me stadiumin e qytetit.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel