Video/ E pazakontë në Barcelonë, 5 persona të maskuar si policë rrëmbejnë një burrë në mes të rrugës, dyshohet për konflikt mes grupeve kriminale
Presidenti amerikan, Donald Trump, iu shmang pyetjes nëse nënpresidenti, Mike Pence, do të ndalojë aktivitetet e fushatës zgjedhore, pasi shefi i stafit dhe punonjës të tjerë në zyrën e tij dolën pozitivë për COVID-19.
“Ju do të duhet ta pyesni atë”, tha Trump ndërsa vizitoi një pemishte në Maine më 25 tetor.
Pence gjithashtu vazhdoi me fushatën e tij të planifikuar më 25 tetor, duke bërë një paraqitje në Karolinën e Veriut ndërsa ai injoroi zyrtarët shëndetësorë të cilët thanë se ai nuk po respektonte rekomandimet e Grupit të Punës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, të cilin ai e drejton.
Shtëpia e Bardhë pretendoi se Pence, i cili ka rezultuar negativ, nuk ka pse të izolohet sepse puna që ai bën përjashtohet nga udhëzimet e qeverisë për hyrjen në karantinë për 14 ditë pas kontaktit me një person të infektuar.
Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, tha se personeli thelbësor duhet të vazhdojë punën e tyre. “Ne nuk do të kontrollojmë pandeminë”, tha ai më vonë në CNN, duke shtuar se fokusi i Shtëpisë së Bardhë është tek vaksinat dhe terapia.
Kandidati demokrat për president, Joe Biden komentoi deklaratat e Meadows, duke thënë se ai “pranoi në mënyrë mahnitëse se administrata ka hequr dorë nga përpjekjet madje edhe për të kontrolluar këtë pandemi, se ata kanë hequr dorë nga detyra e tyre themelore për të mbrojtur popullin amerikan”.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor.
Në fillim të muajit tetor, edhe presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, ishin midis disa personave në Shtëpinë e Bardhë që dolën pozitivë në koronavirus.
Trump kaloi tre ditë në spital duke marrë trajtim kundër sëmundjes COVID-19.
Top Channel