Si u bë milioner dhëndri i Berishës/ Skema që drejtoi për privatizimin e tokës së kompleksit Partizani

24/10/2020 19:48

Jamarbër Malltezi është aktualisht një nga pronarët e kompanive të ndërtimit të banesave me të mëdha në vend. Po si u bë i apasionuari pas mjedisit dhe natyrës një pronar i madh ndërtimesh betoni hekuri dhe tullash. Top Channel ka zbardhur rrugëtimin e pasurimit të Malltezit.

Jamarbër është i martuar me Argita Malltezin, vajzën e ish-kryeministrit Berisha. Në kohën kur vjehrri ishte kryeministër dhe kryetar i bashkisë ishte Lulzim Basha, Malltezi ishte në krye të operacionit që çoi në tjetërsimin kompleksit Partizani i cili u zhduk që zona të mbushej me 17 kulla të larta me mijëra apartamente të shitura. Jamarbër Malltezi dhe motra e tij janë njohur nga gjykata si trashëgimtarë të 1 të 64 të pronës së familjes Begeja në Tiranë. Nëna e tyre ishte pasardhëse e kësaj familje.

Toka në pronësi të kësaj familje është egzaktësisht 9213 metra katrore dhe sipas ndarjes Jamarbërit i takon rreth 144 metra tokë. Kaq tokë është e mjaftueshme për të bërë një apartament me dy dhoma e kuzhinë e pak oborr e parkim për një makinë. Por jo, Jamarbëri, dhëndri i ish-kryeministrit, u emërua përfaqësues i trashëgimtarëve të familjes Begeja.

Një tjetër familje trashëgimtare me mbiemër Kadi zgjodhi Malltezin përfaqësues duke u angazhuar ti paguajë 5 përqind të pronës për shpenzime. Pas kësaj, në kohë rekord nga tetori i vitit 2008 deri në dhjetor të atij viti ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Arben Imami, anëtar i qeverisë së vjehrrit të Malltezit, përfundoi të gjitha procedurat për kalimin e pronësisë së tokës dhe shitjen e hotelit gjigant dhe ndërtesave me 100 milionë lekë të vjetra. Pagesën në emër të pronarëve e bëri një ndërtues i cili në kohën kur Malltezi vraponte në zyrat e shtetit, regjistroi një kompani ndërtimi të quajtur Homeplan. Ky është dokumenti i regjistrimit në vitin 2008. Pak kohë më vonë, bashkia e Tiranës e drejtuar nga Lulëzim Basha i dha lejen zhvillimore kësaj kompanie për të ndërtuar dhjetëra kulla. Pronarët e tokës, autorizuan Malltezin të zgjidhte dhe kontaktonte ndërtuesin që do zhvillonte pronën e tyre. 10 vite më vonë, Jamarbër Malltezi dhe një përfaqësues i familjes Begeja marrin 60 përqind të kompanisë së ndërtimit, 35 përqind i takojnë Jamarbërit. Regjistrimi është bërë në vitin 2018 por në fakt ky dokument tregon se Jamarbër Malltezi u bë pronar I kësaj kompanie në vitin 2014. Në këtë mënyrë nga një pronë prej 144 metrash tokë, Jamarbër Malltezi u bë pronar i më shumë se një të tretës të një kompleksi pallatesh me vlerë mbi 20 milionë euro. Kaq e thjeshte ishte që të bëhesh milioner.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA