Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka përshëndetur vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel dhe u ka bërë thirrje të dyja palëve që me bisedime konstruktive të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura.
Në një sesion përmes videos të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në të cilën është diskutuar raporti i ri gjashtëmujor për punën e UNMIK-ut, Tanin ka theksuar që takimet e përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Uashington kanë treguar potencialin për përparim “në zgjidhjen e mëtejshme të çështjeve të rënda”.
“Kushtet më të rëndësishme që duhet të plotësohen, në mënyrë që bisedimet të kenë sukses, janë uniteti politik, përkushtimi i fuqishëm dhe vullneti i mirë, në Prishtinë dhe në Beograd, si dhe ekzistimi i përkrahjes ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Tanin.
Ai ka theksuar që publikimi i propozimit të aktakuzës së Dhomave të Specializuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është përcjellë në Kosovë me akuza që puna e kësaj Gjykate është “politikisht e motivuar”.
“Reagimet e caktuara në opinionin e Kosovës kanë qenë brengosëse, përfshirë edhe përpjekjet që të vihet në pikëpyetje legjitimiteti i Dhomave të Specializuara, si dhe pretendimet që puna e tyre është politikisht e motivuar. Fatkeqësisht liderë politikë të caktuar nuk kanë ndihmuar gjithmonë që këto deklarata të rreme të korrigjohen ”, ka thënë shefi i UNMIK-ut.
Tanin ka theksuar që Dhomat e specializuara janë pjesë integrale e gjyqësorit në Kosovë dhe faktor i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.
Shefi i UNMIK-ut ka theksuar që Kosova, në shtatë apo tetë muajt e kaluar, është ballafaquar me një numër sfidash, duke nisur që nga kriza e nxitur nga pandemia e koronavirusit. Ai shtoi që Kosova “nuk është lënë vetëm” në luftën kundër pandemisë.
Daçiq: Prishtina po i shkelë marrëveshjet
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë në Qeverinë teknike të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se Prishtina, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit, ka refuzuar që të zbatojë marrëveshjen dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Daçiq ka akuzuar Kosovën se “ka filluar ta shkelë marrëveshjen nga Uashingtoni, në pjesën që ka të bëjë me moratoriumin njëvjeçar për aktivitetet lidhur me pranimin”, duke theksuar që “Prishtina ka vazhduar të lobojë për njohje të reja dhe në atë mënyrë i bën të pakuptimta marrëveshjet”.
“A mund ta quajmë fare dialog dhe marrëveshje diçka për të cilën jemi duke biseduar, merremi vesh, nënshkruajmë dhe më pas njëra palë deklaron ‘ne nuk do ta zbatojmë marrëveshjen’”, ka theksuar Daçiq.
Ai tha se përkundër apelit ndaj autoriteteve lokale që të reagojnë shpejt dhe t’i gjejnë kryerësit e sulmit ndaj serbëve në Kosovë, drejtësia për ta “është e ngadaltë dhe e paarritshme” dhe se numri i incidenteve “nuk po ulet”.
Daçiq ka theksuar që prania e UNMIK-ut në Kosovë është e domosdoshme dhe se është e rëndësishme po aq edhe prania e misionit të Bashkimit Evropian.
Haradinaj-Stublla: Beogradi po i bën obstruksione Kosovës
Duke iu përgjigjur akuzave të Daçiqit, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka deklaruar që as Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet dhe se “po vazhdon të bëj propagandë për destabilizimin e Kosovës”.
Ajo ka theksuar që Beogradi vazhdon ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe pranimin në INTERPOL.
“Serbia vazhdon që të ketë ndikim mbi grupet kriminale që veprojnë në veri të Kosovës, po refuzon bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe formave të tjera të krimit”, theksoi Haradinaj.
Ajo shtoi që Serbia gjithashtu nuk e pranon fajësinë për konfliktet e kaluara.
“Serbia e mohon të kaluarën, sikurse që ishte rasti me masakrën në Reçak, për të cilën Aleksandar Vuçiq (president i Serbisë) para disa muajsh ka thënë që nuk ka ndodhur dhe bëhet fjalë për fabrikim”, theksoi ajo dhe kërkoi që trupat e zhdukur gjatë luftës të kthehen në Kosovë.
“Pajtimi aktiv është rruga më e mirë për të ecur përpara”, theksoi Haradinaj-Stublla dhe shtoi që Kosova “beson në sundimin e ligjit, por edhe në luftën e drejtë , të cilën e kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Paralajmërimi i Rusisë
Në prag të fjalimit të ministres së Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebezya, ka thënë që ajo do të shkyçet nga mbledhja e ardhshme, sepse pas saj, gjatë kyçjes në video, kanë qenë simbolet e shtetit të Kosovës.
“Kushtet nën të cilat përfaqësuesit e Kosovës mund të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit janë vendosur në mënyrë të qartë”, tha ambasadori rus, i cili kryeson Këshillin e Sigurimit.
SHBA-ja: Do ta përcjellim zbatimin e marrëveshjes nga Uashingtoni
Zëvendësja e ambasadorit në Kombet e Bashkuara, Cherith Norman Chalet, ka deklaruar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përcjellin me kujdes zbatimin e marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, të cilën e kanë nënshkruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Duke theksuar që bëhet fjalë për “ngjarje historike”, ajo ka thënë se Vuçiqi dhe Hoti kanë pasur vendosmëri dhe e kanë bërë “një hap ka e ardhmja e ndritshme”.
“Marrëveshja paraqet bazën për përparim në kohën që po vjen. Normalizimi i plotë është qëllim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Do të vazhdojmë që ta mbështesim fuqishëm dialogun nën ombrellën e Bashkimit Evropian”, theksoi Cherith Norman Chalet.
Ajo shtoi që SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe drejtësisë për të gjitha viktimat e konfliktit.
Ajo gjithashtu tha se është koha që të zvogëlohet roli i OKB-së në Kosovë dhe se SHBA-ja e mbështet hartimin e planit për tranzicion të UNMIK-ut dhe në zvogëlimin e përgjegjshëm të rolit të misionit të OKB-së.
Gjermania dhe Britani e Madhe përshëndesin vazhdimin e dialogut
Ambasadori i Gjermanisë pranë Kombeve të Bashkuara, Kristof Heusgen, ka përshëndetur vazhdimin e dialogut në Bruksel, duke theksuar se marrëdhëniet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, paraqesin pengesë për gjithë rajonin.
“Qëllimi i dialogut duhet të jetë i fortë dhe një marrëveshje obliguese”, tha Heusgen.
Ai theksoi rëndësinë e Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo është pjesë e rëndësishme për ndërtimin e sundimit të ligjit dhe për të ndalë mosdënimin.
Heusgen ka shtuar që i vjen keq për faktin që përfaqësuesit e Serbisë asnjëherë nuk flasin për viktimat shqiptare gjatë konfliktit të viteve 1998 dhe 1999.
Duke përshëndetur vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Britania e Madhe ka kërkuar sërish që të shqyrtohet roli i misionit të OKB-së në Kosovë, duke thënë që gjendja është në mënyrë dramatike më e mirë në krahasim me vitin 1999, kur misioni i OKB-së kishte ardhur në Kosovë. /REL/
Top Channel