Polonia konfirmoi të martën rekord rastesh të reja me koronavirus: 9,291.
Shifra është 16 herë më e lartë se numri rekord i raportuar në valën e parë të pandemisë, në pranverë.
Ajo po ashtu paraqet rritje për dyfish brenda një jave.
Afro 9,000 shtretër spitalorë në Poloni janë tani në përdorim nga pacientët me koronavirus dhe Ministria e Shëndetësisë synon të rrisë numrin e shtretërve në dispozicion në rreth 15,000.
Të shtunën, kanë nisur punimet për spitalin e parë të përkohshëm në këtë vend.
Pesëqind shtretër do të vendosen në sallat e konferencave në Stadiumin Kombëtar të Varshavës.
Kryeministri Mateusz Morawiecki urdhëroi që të bëhen përgatitje për ngritjen e spitaleve të përkohshme në të 16 rajonet e Polonisë.
Klinikat private po ashtu duhet të vënë në dispozicion shtretër për pacientët me koronavirus.
Për 24 orët e fundit, autoritetet raportuan për 107 viktima që lidhen me koronavirusin.
Polonia ka regjistruar në total mbi 192,000 raste me koronavirus dhe 3,721 viktima.
Top Channel