Qeveria britanike ka nënshkruar një kontratë për studimet e para të asaj që njihet si “sfida njerëzore” për koronavirusin e ri, ku mbi 90 persona të shëndetshëm, vullnetarë do të ekspozohen qëllimisht ndaj Covid-it, në mënyrë të kontrolluar dhe disa do të marrin një vaksinë eksperimentale.
Testimet, që do të nisin në janar synojnë të përshpejtojnë ritmet për pasjen e një vaksine antiCovid. Qeveria do të akordojë 33.6 milionë paundë për projektin. Siguria do të jetë prioriteti numër një – insistojnë ekspertët. Planet do të kërkojnë miratimin etik dhe atë të rregullatorëve para se të mund të nisin. Studimet e sfidës njerëzore, ofrojnë një mënyrë më të shpejtë për të testuar vaksinën sepse nuk duhet të pritet që njerëzit të ekspozohen ndaj një sëmundjeje në mënyrë natyrale.
Kërkuesit do të përdorin fillimisht doza të kontrolluara të virusit për të zbuluar se cila është sasia më e vogël që mund të shkaktojë infektimin me Covid te vullnetarët e moshës nga 18 deri në 30 vjeç. Këto “kavie njerëzore” që do të infektohen me virusin nga hunda dhe do të mbahen nën monitorim, kanë edhe rrezikun më të ulët për shkak të moshës së re dhe shëndetit të mirë.
Më pas, shkencëtarët do të testojnë nëse një vaksinë antiCovid do ta luftojë infeksionin. Janë më shumë se 100 vaksina antiCovid që po zhvillohen në të gjithë botën dhe disa prej tyre janë në fazën finale të testimit, përfshirë atë të universitetit të Oxford-it.
Top Channel