Britania e Madhe regjistroi brenda një dite 241 vdekje prej Covid 19, një shifër rekord kjo që prej muajit qershor. 21.300 vetë janë konfirmuar pozitivë, ndërsa numri i të shtruarve në spital po ashtu për të parën herë që nga maji është tashmë katër shifror.
Të gjithë këto të dhëna tregojnë se vendi po përballet fort me valën e dytë të sëmundjes; shtrimet dhe vdekshmëria janë rritur ndjeshëm sipas mediave britanike, që prej hapjes së shkollave, universiteteve dhe rikthimit të njerëzve masivisht nëpër zyra në muajin shtator.
Të dëshpëruar për zgjidhje, autoritetet atje do të nisin eksperimentet e para njerëzore ku vullnetarë të shëndetshëm do të infektohen qëllimisht me koronavirus me shpresën se kështu do të përshpejtohet arritja e vaksinës. Kërkimi I drejtuar nga shkencëtarët e Imperial College London dhe i financuar nga qeveria britanike, do të fillojë të zbatohet në muajin janar, por përpara kësaj I nevojitet miratimi etik dhe ai i rregullatorëve.
Infektimi i vullnetarëve nga mosha 18 deri në 30 vjeç do të bëhet nga hunda. Shumë prej infektimeve që po diagnostikohen në këto momente në Angli janë në mesin e të rinjve, të cilët kane për çdo rast më pak gjasa të zhvillojnë vetë simptoma apo edhe të sëmuren rëndë nga koronavirusi.
Top Channel