Zgjedhjet presidenciale/ Qipro e Veriut, fiton nacionalisti

19/10/2020 14:33

Nacionalisti i krahut të djathtë, Ersin Tatar ka fituar zgjedhjet presidenciale në Qipron Veriore të kontrolluar nga Turqia. 

Tatar, që është pro Turqisë dhe do që nga ishulli i ndarë në Mesdhe të dalin dy shtete, mori rreth 52 përqind të votave në një fitore të papritur. Kundërshtari i tij, lider i deritanishëm, Mustafa Akinci kërkoi ribashkimin me pjesën greke të ishullit.

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, që ka mbështetur Tatar gjatë fushatës, e uroi menjëherë atë për fitoren. Nuk ka patur ndërkohë komente nga qeveria qipriote në Nicosia edhe pse partitë e opozitës janë ankuar për rezultatin. Tatar në anën tjetër falenderoi presidentin turk në fjalimin e tij të fitores.

“Ne e meritojmë sovranitetin tonë, ne jemi zëri i turko qipriotëve”, tha ai.

“Ne po luftojmë për ekzistencë brenda republikës turke të Qipros Veriore, ndaj fqinjët tanë në jug dhe komuniteti botëror duhet të respektojë të drejtën tonë për liri, sepse ne e meritojmë atë”.

Qipro është e ndarë që nga 1974, kur Turqia pushtoi veriun, pas një grushti shteti të mbështetur nga Greqia. Ishulli efektivisht është i ndarë, me pjesën veriore të qeverisur nga një qeveri turko-qipriote dhe atë jugore të njohur ndërkombëtarisht të udhëhequr nga qipriotët grekë.  Republika e vetëshpallur turke e Qipros së Veriut, që ka një popullatë prej rreth 300 mijë banorësh është e njohur si shtet i pavarur vetëm nga Turqia, ndërsa pjesa tjetër e botës e konsideron atë pjesë të Qipros.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA