Në tentim për të shmangur tollovitë e shkaktuara në rrugët e kryeqytetit nga numri i madh i veturave, Komuna e Prishtinës është duke shqyrtuar mundësinë që të vendos taksë për veturat që hyjnë nga qytetet e tjera.
Mirëpo, me këtë nuk po pajtohen qytetarët të cilët thonë se kjo rëndon edhe më tepër xhepin e tyre.
Ndërsa Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, këtë zgjidhje e she si mbulesë të premtimeve të paarritura nga Kryetari, Shpend Ahmeti. Sipas drejtueseve të këshillit, kryeqytetit do të duhej të kishte më tepër parkingje qoftë brenda apo jashtë qendrës si dhe numër më të madh të linjave të transportit.
Kryetari Ahmeti përmes një postimi në facebook ka sqaruar se kjo pagesë do të jetë vetëm për veturat që futen në rrugët qendrore, pa sqaruar se cilat rrugë dhe ku po punohen parkingjet e reja.
Thjeshtë në një qytet të vogël ku mundesh me ec në këmbë prej njërës anë në tjetrën për 30 minuta dhe me ndotje serioze gjatë dimrit, prioritet duhet ta kemi luftimin e përdorimit të panevojshëm të veturave.
Prandaj krahas kësaj po punohen parkingjet edhe në hyrje të qytetit për ata që nuk duan të mendojnë parkimin e veturës. Transportin publik do ta kenë falas, me biletën e parkingut.
Vendimi është thënë se pritet të merret në muajin nëntor dhe të zbatohet nga viti i ardhshëm.
Top Channel