Autoritetet franceze thanë se kanë nisur operacione të reja, në lidhje me vrasjen e një mësuesi francez nga një islamist i dyshuar.
Mësuesit të historisë, Samuel Paty, iu pre koka më 16 tetor, jashtë shkollës së tij në periferi të Parisit verior, nga një 18-vjeçar, i cili më pas u qëllua për vdekje nga policia.
Sulmuesi, çeçen i lindur në Rusi, ka jetuar në qytetin Evrë, në veriperëndim të Parisit.
Ai nuk ka qenë i njohur më herët për shërbimet e inteligjencës.
Vrasja shkaktoi zemërim në Francë dhe u dënua fuqishëm nga presidenti Emmanuel Macron dhe partitë politike.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, tha të hënën se rreth 80 hetime janë në zhvillim e sipër për gjuhën e urrejtjes në internet.
Darmanin tha se autoritetet po ashtu janë duke shqyrtuar nëse grupe të caktuara nga komuniteti mysliman në Francë duhet të shpërbëhen, pas akuzave se ato promovojnë dhunë dhe urrejtje.
Në fillim të këtij muaji, Paty u tregoi nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed, në një orë për lirinë e shprehjes, duke zemëruar një numër të prindërve myslimanë.
Myslimanët besojnë se çdo përshkrim i Profetit është blasfemi.
Darmanin gjithashtu tha se babai i një nxënëseje nga shkolla e Patyt dhe një militant i njohur islamik kanë nxitur vrasjen e Patyt.
Top Channel