Punonjësit e Policisë vijojnë kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Edhe gjatë ditës së sotme, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 341 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të treguar dokumentin e identifikimit, me të cilin punonjësi i Policisë duhet të plotësonte fletën e gjobës për shkeljen e konstatuar.
Policia e Shtetit nisur edhe nga shtimi i rasteve të personave të infektuar, por edhe për të monitoruar sa më mirë zbatimin e masës më të fundit për vendosjen e detyrueshme të maskës, ka rritur prezenën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin.
Policia e Shtetit falënderon edhe njëherë qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.
Top Channel